Nuk mund të ketë drejtësi, në një vend ku vëllai i kryeministrit, paguhet 8.2 milionë lekë në muaj te një ekip futbolli me pronar një biznesmen që nuk kontrollohet nga shteti për burimet financiare, dhe sponsorizhet nga oligarku ndërtues Rrok Gjoka, i cili në 8 vite pushtet të Edi Ramës, ka marrë 550 milionë Euro fonde shteti për koncesione rrugësh e tendera pa garë
Sipas listës së pagave, rezulton se politikanët dhe pushtetarët, shfrytëzojnë fuqinë e tyre për të mbushur thasët, duke punësuar familjarët te bizneset që marrin miliona nga buxheti shtetit, ose që kontrollohen prej qeverisë.
Por si shpërblime qokash, punësojnë dhe ish-zyrtarë të drejtësisë të shkarkuar nga “Veting”-u për korrupsion e lidhje kriminale, duke i emëruar në administratë, ose si juristë konsulentë e këshilltarë të jashtëm ligjor, të cilëve u japin paga e miliona lekë honorare sa 3-4 paga ministri
Një rast i tillë është Gjin Gjoni, ish-anëtari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe ish-gjyqtar i Apelit Tiranë, i dorëhequr 10 ditë para daljes në “Veting”, për shkak të batërdisë që ka bërë me dosjet penale e civile në favor të kriminelëve, zyrtarëve të korruptuar dhe grabitësve të pronave.
Burime nga Ministria e Ekonomi-Financave, kanë bërë me dije se qysh prej muajit nëntor 2020, ish-gjyqtari Gjin Gjoni, paguhet 4 milionë lekë në muaj, si kosulent i jashtëm juridik në këtë ministri, paçka se jeton jashtë shtetit.
Kjo konsulencë ministrore, që i paguhet në formë honoraresh e bonusesh, maskuar pas logos së firmës “G&G LAW FIRM Shpk”, zyrë juridike në pronësi 100% të Gjin Gjonit, hapur pa u shkarkuar akoma nga “Vetingu”.
Nuk është rastësi ky pazar, mbasi po me Ministrinë e Ekonomi-Financave, gruaja e tij Elona Çaushi, prej 22 vitesh ka dhe kontratën koncesionare të dyqaneve “Duty Free” në Rinas, të cilën e falsifikoi bashkë me ish- zv/ministrin e Financave Elton Haxhi, të cilin Rama u detyrua ta shkarkonte, por e paska emëruar këshilltar në Drejtorinë e Përgjithshme të Transportit Rrugor me pagë mujore 1.3 milionë lekë.
Rasti i dytë që tregon lidhjet e mafies së plehrave me mafien politike-shtetërore, është Arenc Myrtezani, dhëndër dhe shofer i Ridvan Bodes, që nga koha kur ishte ministër i PD e deri sot kur është Zv/kryetar i Këshillit Mbikëqyrës në Bankën e Shtetit.
Sipas listës së pagave, dhëndri i Bodes është drejtor në landfillin “Integrated Technology Waste Treatment” të Fierit, ku paguhet afro 9 milionë lekë në muaj, ndërsa 4 milionë lekë në muaj, paguhet si administrator i filialit “ECO TIRANA FR” pjesë përbërëse e landfilleve Zoto-Mërtiri.
Po kështu, Aulona Xhafaj, vajza e ish-drejtuesit të reformës në Drejtësi dhe ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, është e punësuar juriste me pagë mujore afro 3.4 milionë lekë në “INTESA SANPAOLO BANK”.
Kjo është një bankë offshore e cila, përveç aktiviteteve të pista sekuestruese-përmbaruese dhe transaksioneve që ka bërë familja mafioze “Xhafaj”, ka probleme me ligjin në Shqipëri, Itali e Ukrainë; madje në zgjedhjet e 25 prillit ka financuar dhe fushata elektorale për kandidatë të PD.
Nuk mund të ketë drejtësi e barazi sociale, në një vend ku vetë vëllai i kryeministrit, paguhet 8.2 milionë lekë në muaj te një ekip futbolli, me pronar një biznesmen që nuk kontrollohet nga shteti për burimet financiare.
Po skandal është edhe fakti, që futboll-klubi ku Olsi Rama është drejtor, sponsorizohet nga oligarku ndërtues Rrok Gjoka, i cili në 8 vite pushtet të Edi Rmës kryeministër, ka marrë 550 milionë Euro fonde për koncesione rrugësh e tendera. Saga vazhdon!/Pamfleti