Shkodra, djepi i kulturës së gjithkohëshme shqiptare rriti edhe djaloshin simpatik, artistin Serafin Fanko. Nikolla Fanko ishte babai i tij me origjinë nga Përmeti (fisi i Adhamëve) dhe e ëma Milica Belkovi vinte nga Manastiri, qytet i alfabetit në Maqedoninë e Veriut.
Kapiteni Nikolla Fanko i cili shërbente në ushtrinë e Mbretërisë Shqiptare pranë kazermave ushtarake të Shkodrës kishte kryer studimet në një akademi ushtarake në Francë. Milica kishte kryer shkollën e mesme ekonomike në Bukuresht të Rumanisë prej nga ku u njoh me Nikollën e u martuan në Shkodër në vitin 1936.
Më 24 maj të vitit 1937 u lind Serafini. Pak muaj më pas për fatin e saj të keq, të të shoqit dhe veçanërisht të djalit të vogël, Milica sëmuret dhe vdes. Ajo e le engjëllin e vet pa mbushur ende gjashtë muajt. Është gjyshja nga e ëma që kujdeset për foshnjën e vogël. Forca të errëta ditën e 7 dhjetorrit 1943 i vrasin të atin, i cili shpallet pas çlirimit të vendit Dëshmor i Atdheut e Serafini qysh në moshën 6 vjeçare mbetet krejtësisht jetim.
Fëmija pa fotografi, siç e ka vënë re studiuesi Sefan Çapaliku duke kërkuar në arkivin personal të Serafinit. Vitet pas luftës Serafini i kalon në Shtëpinë e Fëmijës dhe shpejt bëhet kurioz për çdo send që kishte lidhje me artet e regjistrohet në Shëpinë e Pionierit në rrethet e teatrit, pikturës, valles dhe këngës.
Në moshën 14 vjeçare punon si valltar në Ansamblin e Ushtrisë deri në vitin 1953 e më pas rikthehet në Shkodër si instruktor baleti në Klubin e Rinisë “Heronjtë e Vigut”, ku njihet edhe me dramaturgun e ardhshëm Fadil Kraja me të cilin do të kishte bashkëpunim të ngushtë dhe rrugë të gjatë për të bërë në teatër. Nga viti 1955 deri në vitin 1959 kryen studimet e mesme në degën e aktrimit, në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë.
Aty ai kishte pedagogë Pandi Stillun, Lazër Filipin, Kadri Roshin, Naim Frashërin, Pjetër Gjokën, etj. Serafin Fanko disa herë më ka thënë, se i pëlqente “Novelat e qytetit të Veriut”, përveç se i shikonte për t’i përshtat edhe si skenar filmash. Dhe me sa di e kishte rishkruar si skenar filmi me metrazh të shkurtër novelën ‘Historia e njenës nga ato” qysh në moshën 17 vjeçare. Në vitin 1959, fiton konkursin në Istitutin e Lartë të Arteve ku ka për shokë klase Edi Luarasin, Mario Ashikun, Bexhet Nelkun, Viktor Bruçetin, Albert Verrinë, Miho Gjinin, Milto Profin, etj.
Të gjithë ata ishin të përzgjedhur nga profesoresha ruse, themeluesja e shkollës së lartë për aktrim, Nina Viktorovna Çefranova, ish dekane e degës së nacionalitetetve pranë Institutit Teatral të Moskës. Mirëpo, pas tre muajsh jetë studentore Serafini fiton të drejtën për studime jashtë shtetit dhe fluturon drejt Pragës për të studiuar regji filmi.
-Vitet ‘60 ishin vite të shkëlqyera për teatrin dhe kinomatografinë çeke, – shkruan ndër të tjera S. Çapaliku. Mirëpo në vitin 1962, bash atëherë kur kishte mësuar mirë gjuhën dhe zakonet e përshtatjes, Serafinit i duhet të kthehet në Shqipëri. Fillon periudha e vetëizolimit të komunizmit shqiptar, partner i vetëm i të cilit ishte një vend gjigand e i largët gjeografikisht dhe kulturalisht, siç ishte Republika Popullore e Kinës.
Serafini rikthehet në vitin e tretë e vazhdon studimet në Tiranë. Ai mbron diplomën me interpretimin e dy roleve: Klaudin te “Shumë zhurmë për asgjë” të Shekspirit dhe me doktor Rankun, te “Nora” e Ibsenit.
Në gusht të vitit 1963 fillon karierën si aktor në Teatrin e Shkodrës. Viti 1966 është vit tepër i rëndësishëm në karrierën e tij, bëhet student pasuniversitar në të parin kurs regjie teatrore nën drejtimin e maestro Kujtim Spahivogli. Ishte një kurs vetëm me gjashtë studentë si Pirro Sava dhe Muharrem Fejzo më të mëdhenj në moshë e deri te më të rinjtë si Sotiraq Çili, Xhemal Bilali, e Leka Bungo. Fati e ndihmon Serafinin, kur në teatrin “Migjeni” emërohet drejtor teatri Esat Oktrova i cili pati shërbyer asaj kohe më shumë si pedagog për trupën e aktorëve të teatrit, shumica e të cilëve pajisur me dhunti të larta artistike vinin nga lëvizja amatore.
Oktrova e dorëzon trupën, ashtu “të ngrohtë” regjisorit të sapoemëruar Serafin Fanko. Në atë teatër famëmadh do ta lidhin emrin e tyre një grup i madh aktorësh të nivelit të lartë si Tinka Kurti, Tano Banushi, Vitore Nino, Lec Bushati, Bep Shiroka, Paulin Preka, Ndrek Prela, Roza Xuxha, Antoneta Fishta, Viktor Bruçeti, Rikard Ljarja, Ymer Bala, Bruno Shllaku, Paskualina Gruda e Fatbardh Smaja, etj.
Sigurisht që karriera e Serafinit si regjizor ishte e lidhur ngushtë edhe me karrierën e dramaturgut Fadil Kraja, prej të cilit ai vuri në skenë një dyzinë pjesësh teatrore me karakter thellësisht kombëtar. Me Fankon e lidhin fatin e tyre artistik edhe një pjesë e madhe skenografësh, si Franc Ashiku, Agim Zajmi, Lec Fishta, Bep Shiroka apo Ksenofon Dilo.
Po ashtu të lidhur me të janë edhe kompozitorët Pjetër Gaci, Zef Çoba. Studiuesi Stefan Çapaliku mendon, se nga viti 1967 e deri në vitet 1980 janë vitet e pjekjes si artist të Serafinit e ndoshta kjo përkon edhe me periudhën kur ai stabilizon edhe jetën private, kur ndërton familjen në vitin 1968 e martohet me Nikolina Çapalikun me të cilën lindën dy fëmijë, Amon dhe Iven. Siç thekson Çapaliku, në eskursionin e veprave të vëna nga regjisori Fanko, drama “Fisheku në pajë” mbetet e para vënie serioze në skenë.
Drama pati jehonë të gjerë dhe u shfaq 250 herë. “Këshilli i Ndrikullave” të Sheri Mitës (1969) ishte një komedi gazmore, tejet e sukseshme nën interpretimin brilant të aktorëve Tano Banushi, Tinka Kurti, Vitore Nino e Antoneta Fishtës. “Toka jonë” përbën sipas Çapalikut të parën shfaqje në historinë e teatrit shqiptar ku përdoret videoprojeksioni, duke e kthyer atë shfaqje, në përpjekjen e parë për një tetatër interdisiplinor. Po ngjarjet pas Pleniumit të IV të KQ të PPSH-së kthehen në një atmosferë refraktare për artin shqiptar. Serafin Fanko kthehet në njeri politik dhe për tre legjislatura qysh nga viti 1978 deri më 1991 zgjidhet deputet.
Shkëlqimin e tij si regjisor Serafin Fanko e arriti nga viti 1980 deri më 1990, të mos harrojmë kontekstin poltik të kohës së errët. Ngjarja e madhe në jetën e tij ku në sallën e Teatrit të Kombësive të Shkupit në Maqedoni vuri në skenë dramën “Nita” të autorit arbëresh të Zarës, Josip Rela me trupën dramatike shqiptare. Ai ia doli që me një gjest e ngriti për herë të parë flamurin shqiptar në sallën mbushur plot e përplot me bashkëkombas shqiptar. Tjetër vepër e vënë nga regjisori Serafin Fanko ishte edhe “Kanga e dhimbës krenare”, ku siç shprehet vetë regjisori, se e zgjodhi “Poemën e Mjerimit” të Migjenit dhe i dha çdo aktori 10 role.
Ky lloj teatri u kritikua si pak modern e pa rekuizitë, kishte kundërshtarë të shumtë, por edhe mbrojtës, siç ishte aktorja Tinka Kurti. Një vit më vonë vjen drama tejet e suksesshme “Gjaku i Arbrit” e Fadil Krajës. Vijojnë dramat “Hetimi” i Piter Vaisit në vitin 1983 dhe drama “Tregim për Makbethin” me performancën e aktorëve Ndrek Luca e Tinka Kurti. Dramatizimi i veprës “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” të Ismail Kadaresë me titull “Shtegtim nëpër ankth” që sipas Stefan Çapalikut struktura teatrore novatore e kësaj vepre me mizaskenat ishte krijuar me mjeshtëri nga regjisori Serafin Fanko. Në nëntor të vitit 1989 i jepet tituli i lartë “Artist i Popullit” e ndërkohë Serafini kishte krijuar teatrin e vet të ashtuquajturën “Studio Zef Jubani”.
– Viti ‘90 e gjen Serafin Fankon në Shkodër dhe ai nuk largohet nga Shqipëria dhe pse trupa është tashmë me një numër të limituar aktorësh dhe teknikësh, por ç’është më e keqja me një numër të limituar spektatorësh. Sallat e teatrove nisën të përdoreshin për mitingje partish politike. Njerëz që s’kishin hyrë ndonjëherë në jetën e tyre ndër ato salla, në vend që të ftoheshin të bëheshin spektatorët e së arrdhmes, u grishën të luanin rolin e duartrokitësve me pagesë, – shkruan Çapaliku. Vihet në skenë drama “Pse” e Sterio Spases në vitin 1992 dhe drama “Çmurrosja” në vitin 1993.
Fanko vlerësohet me çmimin në Festivalin e teatrove në vitin 1994 e më pas në vitin1995 me dramën “Ftesë për darkë” në “Festivalin Kombëtar të Teatrove” në Vlorë, Serafin Fanko vlerësohet për regjinë më të mirë dhe si teksti më i mirë u vlerësua Stefan Çapaliku e për rolin e dytë më të mirë aktorja Rita Gjeka.
Mbas këtyre sukseseve vjen dënimi më i madh për artistin, libreza e pensionit, siç ka thënë vet Fanko në një intervistë dhënë gazetares malazese Danica Nikoliç. Sa më shumë vite aq më shumë dëshira dhe ëndrra e tij, siç e ka shprehur në këtë intervistë “Dua të jem Felin i teatrit”. Sipas studiuesit Stefan Çapaliku tek Serafin Fanko është njëkohësisht, edhe dramturgu, edhe regjizori, edhe skenografi, edhe përzgjedhës i muzikës dhe i koreografisë.
Ai mbetet shembulli i vetëm deri më tash i artistit, që jo vetëm dinte ta artikulonte me fjalë shfaqjen e tij të ardhshme, por ç’është më e rëndësishme, dinte ta shkruante shfaqjen e vet. Detaj tejet emocional janë edhe kujtimet e aktorit të mirënjohur Ymer Bala për regjizorin Serafin Fanko, ku e kujton me mirënjohje të thellë regjisorin, që siç thotë ai, – më bëri aktor. Peng e kishte Shekspirin, një teatër pa Shekspirin asht i vorfën. Ai e ëndërronte të vinte në skenë “Romeo e Zhulieta”, “Otello” apo “Mbreti Lir”.
Zemra e tij e dinte kur ia impononin të vinte në skenë “drama të edukimit komunist të masave”. – Më fal Ymer, por të jam borxh tandin…, por kam qenë i detyruem me të “sakrifikue” tue të dhanë role “heronjsh”, sepse duhej me qenë në rregull me anën ideologjike e ti me të dhanat e tua psiko fizike më ndihmon shumë. Serafin Fanko ishte mbret i skenës, ai përligjte titulin REX regjisor, – shton Ymer Bala.
Në kinematografi Serafini hyri vonë, në moshën 40 vjeçare dhe ishte roli i një turisti të huaj në filmin “Fijet që priten”. Ai aty ishte me talentin e një aktori të përkryer dhe i vuri në dijeni regjisorët, por pak si jashtë kallëpit të Realizmit Socialist, – thekson Çapaliku.
Kapitujt e librit të Stefan Çapaliku për Serafin Fankon “Felini i teatrit shqiptar” janë deri në faqen e fundit një informacion i detajuar dhe mbi të gjitha të kuruara me shumë profesionalizëm e finesë, ku është përzgjedhur që nga tematika e lëndës, por edhe renditja shkencore e bibliografisë duke filluar me Biografia Artistike. Autor i veprave origjinale dramatike, ku Serafini numëron 6 të tilla e në vijim autor i dramatizimeve, janë 4 të tilla, regjisor në teatër ku ka vënë në skenë 40 drama si skenograf ka 10 skenografi dhe si aktor në teatër ka 10 role e si aktor në filma ka 10 role.
I vlerësuar me çmimin për regjinë më të mirë në 9 festivale teatrore kombëtare e mbarëkombëtare. Stefan Çapaliku mishëroi me këtë libër një studiues skrupuloz, i cili me virtuozitet artistik letrar, por edhe falë njohjes së thellë të gjinisë të teatrit e me një distancë profesionale për të qenë sa më objektiv në ndriçimin e figurës së regjizorit dhe artistit shumë planësh Serafin Fanko, diti ta sjellë këtë libër në dorën e lexuesit me shumë përkushtim dhe erudicion shkencor edhe për brezat e rinj të studentëve të Arteve të Regjisurës dhe Aktrimit, pse jo të Skenografisë dhe Dramtaturgjisë./Përgatiti: Kastriot Kotoni