Nuk kanë fund surprizat dhe të dhënat nga databaza e pagave që po qarkullon ditë e fundit. Rrogat e mbi 600 mijë shqiptarëve janë tashmë publike dhe po del në dritë se kush janë më të favorizuarit, kush ka postet më të mira dhe kush mban rekord pagash. Gazeta ka kryer një investigim sa i takon të dhënave për familjarët e politikanëve.
Më poshtë po japim një listë me bashkëshortët dhe fëmijët e disa emrave të njohur, mbi postet që ata kanë dhe pagat që marrin. Në deklarata që kanë bërë pranë ILDKPI për pasuritë, të gjithë funksionarët kanë deklaruar dhe të dhënat e familjarëve të tyre, që janë publike. Në bazë të të dhënave të marra aty, gazeta ka bërë kërkimet përkatëse në databazë, ku kanë dalë dhe funksionet që mbajnë këta persona.
Të dhënat pagave
Elda Mataj, bashkëshortja e Agron Gjekmarkajt, merr 121,080 lekë pagë si juriste në Bankën e Shqipërisë. Nora Klosi, bashkëshortja e Blendi Klosit punon në Radio Klan, dhe merr 250,000 lekë si administratore. Rovena Gjiknuri, bashkëshortja e Damian Gjiknurit, punon në Studio Fabrika dhe merr 188,570 lekë si drejtor i përgjithshëm në ndërmarrjeje.
Elga Spaho, bashkëshortja e Edmond Saphos merr 144,520 lekë si Mjek/psikiatër në QSUT. Livia Nikolla, vajza e kryeparlamentares Lindita Nikolla punon në Bankën e Shqipërisë. Ajo merr 122,810 lekë, si analist menaxhimi. Eros Angjeli, djali i ish-deputetit Anastas Angjeli punon në Ministrinë e Financave ku merr 142,100 lekë si drejtor i përgjithshëm në administratën shtetërore/kombëtare.
Zhuljeta Mediu, bashkëshortja e Fatmir Mediut punon në Ministrinë e Infrastrukturës dhe merr 95,800 lekë si përgjegjëse sektori. Ledian Ruçi, djali i ish-kreut të Kuvendit Gramoz Ruçit punon në ALBCONTROL dhe merr 85,600 lekë si drejtor departamenti.
Interesant është fakti se mes shumë emrave që punojnë në administratë është dhe ai i historianit Paskal Milo, i cili figuron si këshilltar i kryetarit të Kuvendit, në atë kohë Gramoz Ruçi. Ai ka marrë 61,320 lekë. Në databazë nuk mungon as emri i Ardjana Llallës, bashkëshortja e ish-kryeprokurorit në arrati Adriatik Lllalla. Ajo punon në Fondin e Sigurimit të Detyrimit të Kujdesit Shëndetësor dhe ka një pagë prej 107,939.00 lekë si përgjegjës sektori.
Ariana Alibeaj, bashkëshortja e deputetit Enkelejd Alibeajt punon te Autoriteti i Dosjeve të Sigurimit të Shtetit, ajo paguhet 99,840 lekë si përgjegjës sektori. Ilda Zhulali, bashkëshortja e Aldo Bumçit, paguhet 153,300 lekë si Këshilltar i Presidentit. Margerita Topalli, vajza e Jozefina Topallit, punon në Bankën e Shqipërisë dhe merr 112,048 lekë si ekonomiste.
Kozeta Ndoka, bashkëshortja e Nard Ndokës, punon në AZHBR ku merr 69,160 lekë si specialist i nivelit të lartë. Pra duket se në administratë pjesa më e madhe e të punësuarve janë fëmijë dhe bashkëshortë të deputetëve dhe ministrave. Gazeta publikoi vetëm një pjesë të tyre, por në databazë që rezulton se pjesa dërrmues e pushtetarëve kanë punësuar kushërinj dhe çdo gjë tjetër në administratë, ndërkohë që pagat janë jashtëzakonisht të larta krahasuar me nivelin mestar të pagave në vend.
Publikimi i targave
Dje skandali u thellua akoma dhe më shumë pasi, doli dhe një listë tjetër, këtë herë me targat që janë në emër të qytetarëve dhe të bizneseve. Sinjalet janë se po gatuhet diçka më e fortë në prapaskenë. Lidhur me këtë situatë reagoi edhe Drejtoria e Transporteve, e cila ka nisur verifikimet.
“Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, sapo u njoh me lajmin mbi daljen e disa të dhënave për targat e automjeteve në Republikën e Shqipërisë, nisi menjëherë hulumtimin dhe kërkimin e suportit nga kompania që mirëmban sistemin informatik, e kontraktuar nga AKSHI.
Ndërkohë që do të kryhet një analizë e plotë për të dalë me një qëndrim zyrtar të bazuar në fakte, bëjmë me dije se kjo bazë të dhënash aksesohet nga shumë institucione, me nivele të ndryshme aksesi, dhe i shërben edhe operatorëve ekonomik shtetëror e privat”, thuhet në njoftim.