Një aksident i rëndë është regjistruar përgjatë aksit nacional Korçë-Pogradec, si pasojë e të cilit janë plagosur 4 persona.
Ngjarja ka ndodhur në afërsi të fshatit Pretushë, ku një automjet brenda së cilit udhëtonin 5 femra është përplasur me një automjet tjetër, që i ka prerë rrugën duke dalë nga një rrugë dytësore.
Sipas të dhënave të para nga vendi i ngjarjes, mjeti tip “Benz” me targa AA626TB drejtohej nga 24 vjeçari me iniciale XH. M., banues në Pretushë, i ka prerë rrugën mjetit tip “Benz” me targa AA258AU, i cili drejtohej nga 22-vjeçarja N.B.
Automjeti i drejtuar nga e reja po udhëtonte nga Pogradeci në drejtim të Korçës, ndërsa si pasojë e goditjes është përplasur me murin rrethues të një karburanti dhe më tej ka përfunduar brenda një lavazhi.
Si pasojë e aksidentit janë plagosur A.B, 26 vjeçe; S.A, 27 vjeçe, si edhe M.T, rreth 28 vjeçe, të cilat po udhëtonin si pasagjere, në mjetin me targa AA258AU.
Lëndime kanë marrë drejtuesit e të dy mjeteve, ndërsa është shoqëruar drejtuesi i mjetit që i preu rrugën. Burime nga spitali i Pogradecit pohojnë se në gjendje të rëndë është 28-vjeçarja që ndodhej si pasagjere.