Prokuroria e Posaçme ka nisur hetimet për vdekjen e 26 personave nga shpërthimi në Gërdec. Pasi gjykatat vendosen rihapjen e procesit për ish-ministrin Fatmir Mediu, SPAK është kthyer në pikën zero.
Sipas burimeve, javës tjetër do thirren dëshmitarët por hapja e dosjes dhe marrja në pyetje përsëri e emrave rrezikon të sjellë edhe emra të rinj që mund të kenë qenë të përfshirë. Kujtojmë këtu se ka pasur akuza që fabrika e demontimit të armëve është përdorur edhe për trafikimin e tyre.
Personave që u është nisur fletëthirrje janë trashëgimtarët e viktimave dhe personat e dëmtuar nga tragjedia. Pjesë do të jenë edhe ish-zyrtarët e lartë si ish-ministri Mbrojtjes Fatmir Mediu. Ndërsa ndër familjarët do të jetë edhe Zamira Durda, e cila kërkoi që hetimet në Gërdec të bëhen edhe për korrupsion.
Kujtojmë se Gjykata e Posaçme refuzoi nisjen e gjykimit për Mediun me argumentin se vendimi ishte i parashkruar dhe se Prokuroria kishte 10 vite kohë që të bënte një kërkesë të tillë.
SPAK nuk e pranoi këtë vendim dhe iu drejtua Gjykatës së Posaçme të Apelit. SPAK e ankimoi vendimin sepse sipas tyre, shkalla e parë nuk e kishte zbatuar ligjin dhe vendimi ishte i cenueshëm. SPAK kërkoi që Apeli i Posaçëm të prishte vendimin e Shkallës së Parë dhe tashmë çështja e Gërdecit është e hapur.
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu me anë të avokatit, bëri rekurs në Gjykatën e Lartë për vendimin e Apelit të Posaçëm, i cili pranoi kërkesën e SPAK për rihetimin e tij sa i përket tragjedisë së Gërdecit. Ardian Visha, avokati i Fatmir Mediut është shprehur se vendimi ishte antikushtetues dhe vendimi i Gjykatës së Posaçme të Apelit duhet të prishej.
Sipas avokatit, vendimi është i cenueshëm sa kohë një gjykatë e një shkalle më të vogël ka prishur një vendim të Gjykatës së Lartë, pasi ndjekja penale për këtë rast është e parashkruar për shkak të viteve.
Reagimi i Mediut
Lidhur me rihapjen e çështjes së Gërdecit, kujtojmë se Mediu është shprehur se vendimi ishte antikushtetues. Ai tha se nuk ka as profesionalizëm dhe as tendencë për të vendosur drejtësi.
Mediu është shprehur se ka një interes politik e personal të njerëzve që merren me këtë çështje, por nuk kanë si qëllim të vendosin drejtësi. Sipas tij, prokuroria ende nuk ka prova sepse po të kishte të gjithë do të ishin në thundrën e saj. “Dua të them që kërkesa e SPAK drejtuar Gjykatës së Lartë po ashtu edhe vendimi i gjykatës së apelit janë ndesh me kushtetutën dhe kodin penal.
Nuk kanë brenda tyre as profesionalizëm dhe as tendencë për të vendosur drejtësi . Mënyra si është proceduar duket qartë që kanë interesa të tjera. Çdo lloj interesi, që nga ai politik, e deri personal i njerëzve që merren me këtë çështje, por për të vendosur drejtësi, jo.
Kur procedimi është kundër me ligjin, i hapet rrugë ,mundësive të tjera, dhe këtu e vendos vëmendjen tek ata që bëjnë ligjin. Nuk mendoj që prokuroria ka prova, se ndryshe do ishim të gjithë në thundrën e saj. Veprimet janë të tilla që duket që s’ka dëshirë të bëhet drejtësi”, tha Mediu.