Zbardhen detajet si amerikanët kopsitën dosjen për shpalljen “non grata” të ish-kryeministrit Sali Berisha. Ky i fundit akuzon amerikanët se nuk kanë asnjë provë kundër tij, ndërsa duket i bindur se vendimi erdhi pas lobimeve të qeverisë shqiptare dhe George Soros. Lidhur me këto pretendime të tij foli Zv/ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar.
Në një intervistë në “News 24”, për herë të parë ai hodhi dritë se si u hartua dosja për Berishën. Ai tha se janë angazhuar 4 institucione të rëndësishme për mbledhjen e fakteve, ndërkohë që e bëri të qartë se procesi ka nisur që në kohën kur president ishte Donald Trump.
Ai tha sa se në ditët në vijim do ketë shumë më tepër emra “non grata”. “Në fakt, do të shihni më shumë! Por në fakt, kjo është pyetja që marrim nga shumë njerëz. Pse i shohim më të shënjestruar rusët, apo ukrainasit apo serbët. Por e vërteta është se ne e ndjekim korrupsionin aty ku është.
Pra, kjo është një përpjekje midis agjencive, një përpjekje midis shumë agjencive, që përfshin Departamentin e Thesarit, FBI-në, Departamentin e Sigurisë Kombëtare dhe Departamentin e Shtetit, për të kuptuar se ku është korrupsioni dhe për të kuptuar se ku është ndikimi gërryes.
Dhe ky është një vendim institucional, jo një vendim politik”, tha Escobar. Lidhur me pretendimet e Berishës, ai deklaroi se vendimi ndaj tij nuk ka qenë aspak politik, por tërësisht institucional dhe është hartuar për shumë e shumë vite. “Nuk është një vendim politik.
Është një vendim institucional. Dhe nëse sheh rastet e shpalljeve të bëra dje në veri të Kosovës, ato hetime u deshën vite të zhvilloheshin. Nuk është thjeshtë kjo administratë, por edhe administrata e mëparshme dhe administrata para saj, ndaj askush nuk duhet t’i shohë këto vendime si vendime politike të bëra nga një administratë apo nga një institucion”, tha ai. I pyetur drejtpërdrejt nëse hartimi i dosjes ka nisur që me administratën e Trump, ai deklaroi prerë: “Po”.
Ndërhyrjet e Soros
Më tej ai hodhi poshtë pretendimet e Berishës se ka ndërhyrë Soros në këtë proces. Escobar kërkoi të ndalen të tilla deklarata. “Kjo është absolutisht e gabuar. Është e rrezikshme.
Nuk dua që njerëzit t’i shohin këto mendime dhe këto shpallje si mjet politik. Këto janë përpjekje institucionale për të luftuar korrupsionin. Ja se ç’janë. Ndaj, nuk u bë nga një administratë, nuk u bë nga një vendimmarrës, dhe nuk u bë nga një anëtar apo një organizatë brenda kabinetit. Ishte një përpjekje kolektive dhe arritëm konsensus për të”, tha ai.
Priten shumë emra të tjerë “non grata”
Escobar në qëndrimin që mbajti dje, deklaroi se Berisha nuk do të jetë i fundit që shpallet “non grata” ai tha se në të gjithë Ballkanin do të ketë shumë emra që do të ndalohet të shkelin në tokën amerikane dhe do përballen me sanksione.
I pyetur për masat e paralajmëruar ditët e fundit nga Sekretari Blinken, i dërguari i DASH tha: “Do ketë akoma më shumë. Do të ketë më shumë, përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor” tha ai. Pra sinjalet janë se administrata e Biden ka një listë të gjatë emrash në listë të zezë dhe përveç Berishë, do ketë shumë të tjerë që do të ndëshkohen nga Uashingtoni.