Ashtu si Sali Berisha, në listën e zezë të amerikanëve duket se ka hyrë edhe presidenti Ilir Meta. Edhe pse nuk ka një vendim zyrtar për ta shpallur atë “non grata”, çdo ditë që kalon shtohen sinjalet se pas largimit nga Presidenca rrezikohet të jetë politikani i radhës që mund të jetë i padëshiruar.
Dje erdhi për herë të parë në Tiranë i dërguari special i DASH për Ballkanin, Gabrile Escobar. Ai ka pasur javët e fundit takime të shumta në Bosnjë e Maqedoni, por këtë herë u ndal dhe në Tiranë. Por në vizitën e tij ranë në sy disa elemente.
Së pari ai pasi zbriti nga avioni u nis direkt për në selinë e PD, ku dhe takoi liderin demokrat Basha. Së dyti, presidenti i Republikës, Ilir Meta u la jashtë agjende. Escobar është përgjegjësi i DASH për rajonin tonë dhe në një vizitë të tillë presidenti duhej të ishte personi i parë që takohej.
4 ditë më parë Escobar ishte në Maqedoninë e Veriut dhe atje ai padyshim takoi presidentin vendas Pendarovksi, por në Tiranë, Meta u anashkalua. Kjo nuk është hera e parë që i jepet një mesazh kaq i fortë presidentit, pasi në korrik erdhi në Tiranë shefi i Escobar, Philip Reeker, i cili nuk pati asnjë takim me Metën.
Po ashtu pak javë më parë në Tiranë erdhi një delegacion me kongresmenë dhe senatorë nga SHBA, të cilët po ashtu nuk i shkuan në zyrë presidentit. Pra nuk ka ndodhur vetëm një herë, por nëse shohim vizitat e personaliteteve amerikane këtë vit, askush nuk është takuar me presidentin.
Kjo tregon qartë se raportet e Metës me amerikanët nuk janë aspak mirë. Përplasja që ai pati me ambasadoren Kim për 25 prillin duket se i vuri kapak konfliktit dhe tashmë presidenti duket se ka hyrë në syrin e ciklonit.
Sinjalet ndaj Metës
Gjatë vitit 2020 presidenti dha sinjale përplasje me amerikanët. Meta sulmoi reformën në drejtësi disa herë dhe akuzonte ambasadorët për puç. Madje ironizoi në shumë raste dhe “Rrugën e Elbasanit”, duke nënkuptuar ambasadën e SHBA. Mirëpo ambasadorja nuk reagoi.
Por duket se kupa u mbush para zgjedhjeve të 25 prillit. Më 23 prill, 2 ditë para zgjedhjeve, presidentit doli në një intervistë televizive dhe ripërsërit kërkesën që qytetarët të merrnin kazma, kosa e sëpata për tu prerë duart atyre që vidhnin vota. Yuri Kim përmes një SMS në celular dhe një mesazhi në Twiter e paralajmëroi se do kishte pasoja nëse nuk tërhiqej nga të tilla deklarata.
Ky ishte sinjali i parë se raportet e Metës me SHBA ishin të tensionuara. Edhe pse pas zgjedhjeve presidentit ndryshoi kurs, duket se për amerikanët ai është një president i shkarkuar.
Në verë erdhi në Tiranë Ndihmës Sekretari i Shtetit, Philip Reeker, personi i cili vulosi dhe përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar. Ai u takua me kryeministrin, kreun e opozitës dhe një sërë personalitetesh, por jo me Metën.
Presidentit u injorua totalisht. Një tjetër goditje ndaj tij ishte gjatë stërvitjes së “Defender 21”. Meta nuk u lejua të hipte në të njëjtën anije me ambasadoren, kryeministrin dhe gjeneralët amerikanë. Ai u detyra të braktisë ceremoninë duke mos marrë pjesë në patrullim. Pra duket se presidenti është injoruar totalisht dhe sinjalet janë se ai pasi ta dalë nga zyra mund të ketë fatin e aleatit të tij, Sali Berisha.