Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar ka rrëzuar dje pretendimet e ish-kryeministrit Sali Berisha se është shpallur “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit, pas lobimeve të miliarderit Xhorxh Soros.
9 dhjetori shënon Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit dhe diplomati Escobar zgjodhi pikërisht këtë ditë, për të zhvilluar vizitën e parë në Shqipëri, ku u takua me kreun e PD, Lulzim Basha; ministren e Jashtme, Olta Xhaçka dhe kryeministrin Edi Rama.
Por gjatë qëndrimit në Tirana, zyrtari i lartë i DASH zgjodhi që fillimisht të takonte kryedemokratin Lulzim Basha, teksa gazeta ka mësuar detaje nga diskutimi mes tyre. Sipas informacioneve, mësohet se zoti Escobar ka zbuluar detaje se si është krijuar dosja e DASH që çoi në shpalljen “non grata” të ish-kryeministrit Berisha, e cila sipas tij, ka vite që përgatitet, ku të përfshira janë jo vetëm administrata aktuale Biden, por edhe ajo e kaluara Trump.
Në këtë kontekst, mësohet se i dërguari i SHBA për Ballkanin Perëndimor ja ka bërë të qartë zotit Basha se dosja dhe shpallja “non grata” e ish-liderit demokrat është bazuar në prova e fakte dhe se mundësitë që miliarderi Soros të ndikojë në vendimmarrjen e departamentit Amerika të Shtetit janë zero. Madje, mësohet se teksa ka paralajmëruar se fatin e Berishës do të kenë të tjerë politikanë, zoti Escobar ka theksuar se ish-kryeministri demokrat për DASH është i korruptuar dhe se këtë nuk e luan topi.
Basha: Diskutuam për emrat “non grata”
Por detaje nga takimi me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar ka dhënë edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ky i fundit duke folur për mediat pas takimit me diplomatin Escobar, u shpreh se me zyrtarin e lartë të DASH, u diskutua edhe sa i takon emrave të tjerë “non grata” që priten të shpallen nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Sipas Bashës, Escobar është shprehur se lista e personave “non grata” për Shqipërinë pritet të shtohet në të ardhmen me personazhe të tjerë nga politika dhe fusha të tjera. “Pa diskutim që çështja e pandëshkueshmërisë sikundër politikat e sanksioneve “non grata”, ishin pjesë e diskutimit ndërsa sa i përket çështjeve që i takojnë vendimeve të Departamentit të Shtetit jam i bindur që do të keni mundësinë të dëgjoni drejtpërsëdrejti nga Escobar qëndrimet e Departamentit Amerikan të Shtetit”, deklaroi ai.
SHBA e vendosur kundër të korruptuarve
Më tej gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Lulzim Basha është shprehur se gjatë takimit me të dërguarin e SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka folur edhe për luftën kundër korrupsionit, për të cilën theksoi se SHBA-të janë të vendosura për të mbështetur institucionet shqiptare dhe shpallur luftë politikanëve të korruptuar.
“Ishte kënaqësi e veçantë të mirëpres sot në ditën ndërkombëtare të luftës kundër korrupsionit, përfaqësuesin e Lartë të shteteve të Bashkuara të Amerikës zotin Escobar. Lufta kundër korrupsionit është përcaktuar si një interes kombëtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është edhe më shumë interes Kombëtar i Shqipërisë.
Është ajo për të cilën Partia Demokratike, ka luftuar dhe është përpjekur më shumë se gjithçka tjetër në këto 8 vite. Diskutuam pa diskutim edhe për ecjen përpara të Shqipërisë në rrugën e reformave, ku kyç mbetet një drejtësi e pavarur që nuk i mbron, por i ndëshkon politikanët e korruptuar”, nënvizoi Basha./Rigels Seliman