Procesi i testimit të policëve nëse janë përdorues droge ka shumë pikëpyetje të mëdha dhe kërkon përgjigje serioze. Faktet e dala deri tani, kur ky testim sapo ka nisur, të çojnë drejt dyshimeve të arsyeshme për korrektësinë dhe vërtetësinë e rezultateve që do të dalin prej tij.
E meqë nuk është një proces që është inicuar që në fillim nga drejtori i ri i policisë së shtetit Gledis Nano, megjithëse e ka shumë përzemër dhe është mjaft serioz në qasje, situata e krijuar duket më shumë një kurth ndaj tij.
Do ta zhvillojmë logjikën në tre aspekte, proceduriale, financiare dhe në aspektin e rrezikut shoqëror.
Deri tani kemi mësuar se testet po nxjerrin mjaft gafa. Media ka treguar me dëshmi se si një efektive policie që përdor medikamante për menopauzë ka rezultuar përdoruese droge për shkak se testet nuk arrijnë të identifikojnë saktë.
Edhe një polic në prag të pensionit që vuan nga diabeti rezulton përdorues droge sipas testeve. Rezultate të tilla kanë sjellë shqetësim tek të prekurit sa që duhet të mbajnë nën kurriz edhe peshën e rëndë të humorit të hidhur sa herë ju thonë.. “Paske bërë pompa xhaxha”.
E ndodhur në këtë situatë, drejtoria e përgjithshme reagoi shumë shpejt duke urdhëruar që të mos i nënshtrohen testeve antidroge efektivët në moshë të madhe.
Mirëpo kjo nuk është zgjidhja. Ende ka shumë pikëpyetje.
Procesi i bërjes së analizave ( gjak dhe urinë) kryhet në një laborator privat. Aty policët shkojnë si gjithë qytetarët e tjerë. Kur në fakt nuk duhet të jetë ashtu. Po nëse një efektiv policie që është përdorues droge ndërron epruvetën, po sikur analiza e tij e gjakut të falsifikohet?! Të gjitha mundësitë janë për sa kohë nuk ka një protokoll kontrolli të mbështetur ligjërisht dhe që të penalizon. Për policët testi anti drogë është provë ligjore se pas saj ai përjashtohet ndaj dhe praktika duhet të jetë e mbështetur dhe e kontrollueshme ligjërisht.
Policia e ka një praktikë të tillë sa herë ndalon qytetarë të dyshuar dhe urdhëron testet anti drogë në prani të më shumë se një punonjësi policie. Të gjitha testet kryhen nga mjekësia ligjore dhe jo tek privatët sepse ato janë prova.
Pse të mos ndiqet edhe një praktikë e tillë edhe në rastin e testimit të policëve?
Aspekti financiar lidhet me paranë publike. Deri më sot është bërë e njohur që ka një marrëveshje mes drejtorisë së policisë dhe laboratorit që për çështje etike nuk po ia përmendim emrin. Policët aty testohet dhe fatura e skontuar në çmim shkon në drejtorinë e policisë e cila përmes thesarit të shtetit ia rimburson laboratorit. Do të thotë që për testet do të përdoren paratë publike.
Atëherë pyesim pse nuk është përdorur proceduara ligjore për konkurrim përmes tenderit, por është zgjedhur vetëm një laborator privat me marrëveshje? Fakti që testet e tij kanë rezultuar me probleme të çojnë në përfundimin se nuk ka qenë i duhuri. Madje vihet në dyshim edhe çmimi sepse tarifa që shteti do paguajë për çdo test është 2 mijë lekë. A janë kaq të lira kitet anti- drogë?!
Aspekti moral lidhet më shumë më sigurinë shoqërore dhe integritetin e policit.
Mund të bëhët show politik, por jo show me policinë. Krijon pasoja të rënda zhgënjimi dhe zhvlerësimi /dështimi i këtij procesi. E imagjinoni dot se çfarë rreziku i madh është për të gjithë kur një polic është përdorues droge?! Ai së pari ka kontakte me shitësin, që është trafikant. Pra, për të gjetur mallin, i pari polici bëhet mbrojtës i krimit dhe garanti i tij në tregti.
Së dyti e dini çdo të thotë një polic nën efektin e drogës. Ai është i gatshëm të bëjë çdo gjë edhe mund të të vrasë për të gjetur mallin për arsye personale. Por a e gjykoni dot se si do të ndodhej përballë tij një qyetar që kërkon ndihmë për fëmijën, për një tjetër përdorues droge, ndihmë ndaj kriminelit.?!
Dhe ky është një kërcënim serioz për shoqërinë dhe shtetin.
Por çfarë kemi tani, rrjeta e testeve për të gjetur përdoruesit e drogës ka zënë vetëm policë në prag të pensionit dhe që kurohen nga ndonjë sëmundje apo dhimbje. Për sa kohë procesi nuk është i mirëkontrolluar dhe përmes një praktike të rreptë, rrjeta për të kapur policë përdorues droge do të jetë e çarë.
Për sa kohë kemi një proces verifikimi për përdorim droge, aq ka dhe logjikë përfundimi se në radhët e policisë ka përdorues. Por deri tani mënyra e zbulimit dhe verifikimit që ka baltosur dinjitetin e policëve të ndershëm duket një kurth i ngritur nga ata që i tremben këtij procesi. Ndaj Gledis Nano e ka për detyrim të dalë nga ky kurth nëse do që ne ta mbajmë ende në memorie profilin e krijuar prej tij si djali me karakter ekselent, reputacion dhe integritet profesional. (SI)