Shqiptari vari veten me lidhëse këpucësh në furgonin e policisë greke, i vëllai: Neglizhencë e gardianëve! Dua me çdo kusht përgjigjen e autopsies
Adem Rusi është i burgosuri shqiptar i cili sipas policisë greke pak ditë më parë u vetëvar me lidhësen e këpucëve në furgonin e policisë, teksa po transportohej nga spitali i Amfisës drejt burgut famëkeq të Malandrinos.
Familjaret e tij përjashtojnë mundësinë e vetëvrasjes se 40-vjeçarit duke theksuar se rezultatet e autopsisë që do të bëhen në Shqipëri do të zbulojnë të vërtetën.
Vëllai i tij, Shkëlqimi, ka folur për mediat dhe ka treguar se kërkon me çdo kusht që vëllait t’i bëhet autopsia, e për të zbuluar shkakun e vdekjes së 38-vjeçarit.
“Në Prokurori ka vajtur kallëzimi penal që bëra, dhe do shkoj të pyes për te marrë fletën nëse do pranojnë kallëzimin. Dua me çdo kusht që t’i bëhet autopsia, që të di shkakun e vdekjes e të fle rehat. I kam marrë të gjitha letrat, vetëm atë të prokurorisë pres. Përgjigje deri më tani kam ato që kanë nxjerrë grekët, por unë s’besoj asnjë gjë, këtu do dalë e vërteta.
Morën fillimisht nënën, pastaj më morën mua e më thanë që e kemi çuar në spital, për kontroll rutinë, natën nuk ka kontroll rutinë. Ka pirë klorinë më tha drejtori i burgut, tha u bë mirë, kur po e kthenim fatkeqësisht vari veten, në makinë të policisë, me gardianë brenda. Ata nuk të lenë as me lidhëse këpucësh, as me rrip, asgjë të ketë i burgosuri, plus ka qenë i prangosur dhe me 2-3 shoqërues.
Do kërkoj drejtësi deri në fund, sikur edhe kjo të jetë e vërtetë që të ketë varur veten, është neglizhencë e tyre. Pas vëllait tim mund ta kenë radhën të tjerët, shteti tonë duhet të ngrejë strukturë në ambasadat tona që të mbrojë të gjithë të burgosurit. Shpresën vetëm te autopsia e kam”