Zyra e Migracionit në Malajzi ka njoftuar sot në mëngjes se nuk ka lejuar largimin nga vendi të ish kryeministrit Najib Razak dhe bashkëshortes së tij Rosmah Mansor. Ndalesa është bërë pasi çifti ka thënë se do të udhëtojë për një pushim të shkurtër në Indonezi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas pretendimeve, Razak dhe gruaja e tij duhej të udhëtonin në Xhakarta. Kjo ka shkaktuar një seri të spekulimeve rreth asaj se si ish-kryeministri dhe gruaja e tij largohen nga vendi për shkak të frikës se do të përballen me akuzat për korrupsion milionësh që lidhen me fondin shtetëror.
Koalicioni i Najib Razak pësoi humbje këtë javë, duke i dhënë fund sundimit 60-vjeçar.
Në një deklaratë në rrjetet sociale, Najib tha se ai do të mbështesë “transferimin gradual të pushtetit”, duke kërkuar falje për çfarëdo gabimi apo lëshimi, dhe deklaroi se synon të vazhdojë t’i shërbejë popullit.
“Shpresoj se vendi do të bashkohet pas kësaj periudhe”, tha Najib.
Zyra e Migracionit edhe pse më parë kishte deklaruar se çifti i përmendur nuk është në listën e zezë, tani ka lëshuar një deklaratë, në të cilën thuhet se Najib dhe Rosme “sapo janë listuar në listën e zezë të atyre që nuk mund të largohen nga vendi”.
Najib tha se do të respektojë vendimin dhe do të qëndrojë me anëtarët e familjes së tij në vend.
Fronti Kombëtar është një koalicion ku rolin kryesor e ka Partia Malaje, e cila ka qeverisur me Malajzinë që nga pavarësia e saj nga Britania e Madhe, ndërsa në zgjedhjet e fundit fitoi 79 nga 222 vende në parlament, duke humbur kështu nga aleanca e udhëhequr nga partia e Mahathir Mohamad.
Mahathir ishte kryeministër për 22 vjet, deri në pensionimin e tij në vitin 2003./BalkanWeb