Ish.zv.kryeministri Erion Braçe ngriti shqetësimin sot në Kuvend se deputetët dhe administrata vetë shkelin me të dyja këmbët rregullat që miratojnë. Braçe ka treguar se në lokalin brenda Parlamentit pihet cigare dhe ndonjë prej deputetëve “mendon se tymi i tij të mbron nga koronavirusi”.
“Po të dalësh nga këtu tani dhe të shkosh në klubin e Parlamentit, jo vetëm që s’kanë maskë por dikush mendon se tymi i duhanit që konsumohet atje të mbron nga koronavirusi. Ky është një problem akoma më i madh.
Dhe kur nuk rrezatohet zbatimi i rregullave dhe i masave këtu në sallën e Parlamentit, padiskutim që as të mos kërkojë kush të zbatohen masat në çdo cep të territorit të Shqipërisë”, tha ndër të tjera deputeti i PS, shkruan neësbomb.al.
Pjesë nga fjala e Erion Braçes
Masat në këtë vend nuk zbatohen më. Nuk zbatohen. Duke filluar nga kjo sallë. Këtu jemi në Parlamentin e Shqipërisë, në institucionin më të lartë të këtij vendi. Sipas rregullave që janë në fuqi, këtu duhet të mbahet maskë. Këtu brenda. Me thënë të drejtën qëpar pash kryeministrin dhe disa ministra. Në sallë nuk bëhen as 5 deputetë bashkë që mbajnë maskën për tu mbrojtur dhe për të mbrojtur.
Po të dalësh nga këtu tani dhe të shkosh në klubin e Parlamentit, jo vetëm që s’kanë maskë por dikush mendon se tymi i duhanit që konsumohet atje të mbron nga koronavirusi. Ky është një problem akoma më i madh. Dhe kur nuk rrezatohet zbatimi i rregullave dhe i masave këtu në sallën e Parlamentit, padiskutim që as të mos kërkojë kush të zbatohen masat në çdo cep të territorit të Shqipërisë.
Kemi vendosur një rregull këtu që duhet të jemi të gjithë të vaksinuar. Natyrisht që në këtë sallë ka të pavaksinuar, pak janë po ka. I kërkoi kush sot në mëngjes testin për të hyrë në sallën e Kuvendit? Natyrisht që jo. Nëse kjo masë nuk respektohet këtu, ku do respektohet?!