Seanca e sotme plenare nuk kishte vetëm debate por edhe konsensus mes PS-së dhe PD-së për disa nga projektligjet që ishin në rendin e ditës.
Tri prej tyre u miratuan edhe me votat e opozitës; ligji për parandalimin e pastrimit të parave, marrëveshja me Pfizer për furnizimin me vaksina dhe rregullorja e re e Kuvendit.
Deputetët e Partisë Demokratike pavarësisht ndasive të thella për shumë çështje bashkuan votat me shumicën socialiste duke miratuar këto tre projektligje.
Projektligj “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9917, datë 19.05.2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit të ndryshuar” u miratua me 106 vota pro, projektvendimi “Për një ndryshim në vendimin nr. 166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit” kaloi me 111 vota pro dhe akt normativ “Për miratimin e tekstit te disa ndryshimeve ne marrëveshjen për prodhimin e furnizimin me vaksinën “Pfizer” me 112 vota pro.