Ish-kryeministri Sali Berisha e ka quajtuar dënim politik atë që dha SPAK pak kohë më parë kundër ish-kryeprokurorit, Adriatik Llalla.
Nga Bajram Curri, pak para mbylljes së takimit me demokratët, Berisha u shpreh se Llalla u dënua vetëm pse denoncoi në Senatin amerikan Donald Lu për korrupsion.
“Ju them unë këtu. Ka 2 vite që është themeluar SPAK. Në vitin 2020 nuk ka dërguar asnjë zyrtar të lartë për gjykim. SPAK është zgjedhur për të mos guxuar të vendosin para ligjit zyrtarë të lartë. Dhe mburet se dënoi ish-kryeprokurorin me 2 vite. Ju them unë një gjë.
Është absolutisht dënim politik. Nuk them se nuk ka pasur shkelje ligjore, por ai zotëria denoncoi Donald Lu në Senatin Amerikan për korrupsion. Për atë që u dënua ai, Ardian Dvorani, Sokol Sadushi, gjykatësja Petro për shkeljet e tyre duhet të dënohen të paktën 8 vite burg. Dosjet e tyre të vetingut mbahen peng në zyrën e Edi Ramës. A mund të qëndroja unë i heshtur? Jo nuk mund të qëndroja”, u shpreh Berisha.