Me lot në sy, Alec Baldwin tha se gjëja më e tmerrshme që i kishte ndodhur në jetë ishte vrasja aksidentale në sheshxhirimin e filmit Rust, e kinematografes së tij, Halyna Hutchins.
Në një intervistë për amerikanen ABC, aktori tha se “nuk e kishte shkrepur armën”. Në një klip të shkurtër të intervistës, për gazetarin George Stephanopoulos, që pritet të transmetohet të entjen, Baldwin shfaqet i përlotur. Aktori mohon të ketë qëlluar duke thënë që arma u shkrep në mënyrë të pashpjegueshme në momentin që e mori në dorë.
“Këmbëza nuk u shtyp, nuk e kam shtypur”, tha ai. “Nuk do ia drejtoja kurrë armën një njeriu, e jo më ta shkrepja, kurrë”.
Ende nuk dihet se përse arma në fjalë ishte e mbushur me fishekë realë. “Dikush vendosi një fishek real në armë, një fishek që as nuk kishte pse ishte në atë pronë”, tha Baldwin.
Gjatë intervistës aktori hollivudian u shpreh se Hutchins ishte një njeri që e donin të gjithë, që e admironin të gjithë. Vetë Stephanopoulos zbuloi se Baldwin foli me detaje për të gjithë ngjarjen e ndodhur atë ditë.
Kjo intervistë ekskluzive vjen në një kohë kur hetimet për ngjarjen e rëndë vijojnë dhe hetuesit besojnë tashmë se një fishek i bërë në kushte shtëpie në News Mexico, mund të ketë përfunduar në sheshxhirimin e filmit dhe në pistoletën e Baldwin.