Viola von Cramon-Taubadel, deputete e partisë gjermane Të Gjelbrit, në Parlamentin Evropian, njëkohësisht dhe raportuesja për Kosovën në PE, deklaroi se shpreson që qëndrimi ndaj Beogradit zyrtar do të ndryshojë kur partia e saj të marrë pushtetin në qeveri e të drejtojë Ministrinë e Jashtme gjermane.
Von Cramon, e cila është gjithashtu anëtare e Komitetit të Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian dhe delegacionit të BE-së në Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Serbi, tha për H1 se ishte e tronditur nga reagimi i autoriteteve serbe ndaj protestave mjedisore të ditëve të fundit. Von Cramon theksoi se të gjithë kanë të drejtë të protestojnë dhe se kjo është pjesë e shtetit ligjor.
“Ato grupe (protestues) janë qartazi për sundim më të madh të ligjit, transparencë, por edhe aplikimin e standardeve mjedisore në Serbi, kështu që unë u befasova dhe u trondita nga reagimi i autoriteteve”, tha Von Cramon. Ajo shprehu shpresën se autoritetet në Serbi do të gjejnë një mënyrë më paqësore për të komunikuar me njerëzit që nuk pajtohen me partinë në pushtet dhe autoritetet.
“Nuk ka nevojë për asnjë dhunë dhe brutalitet siç ishte rasti i djeshëm, me policinë apo huliganë që sulmojnë njerëzit”, shtoi ajo. Eurodeputetja u shpreh se është mëse e qartë që qëndrimi i deritanishëm i liderëve të Evropës Perëndimore ndaj qeverisë serbe dhe ndaj Presidentit serb Aleksandar Vuçiç, është tejet tolerante.
E pyetur nëse kjo po ndryshon, Von Cramon shprehu shpresën se do të ketë një ndryshim në qasje ndaj autoriteteve serbe kur të Gjelbrit të marrin pushtetin. “Shpresoj se do të kemi një qasje që do të bazohet më shumë në sundimin e ligjit, se do të jemi më kritikë për atë që po ndodh në terren dhe cilat janë rezultatet e zbatimit të reformave”, tha ajo.
Von Cramon tha se marrëveshja e koalicionit që formoi shumicën qeverisëse në Gjermani e vendos Ballkanin Perëndimor në qendër të vëmendjes. “Shpresoj se do të vihet një vijë që do të thotë se nuk do të rrezikojmë vlerat tona evropiane”, shtoi ajo. Duke folur për Bashkimin Evropian, Von Cramon tha gjithashtu se me raportin e fundit për përparimin e Serbisë, komisioneri Oliver Varhelji në një farë mënyre minoi parimet e tij dhe parimet e Komisionit Evropian.
Në lidhje me hapjen e negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE, Von Cramon tha se dëshiron të shohë zbatimin e reformave për të cilat është zotuar Qeveria e Serbisë. Ajo u shpreh se nuk është aspak nevoja që BE të nxitohet në nisjen e këtyre negociatave dhe këtë e justifikoi me faktin se Serbia vitin e ardhshëm do të mbajë zgjedhje të reja të përgjithshme.
Si pasojë e zgjedhjeve ajo tha se do të3 krijohet një qeveri e re e cila mund të bëjë atë që duhet për të zbatuar reformat kushtetuese dhe të tjera të nevojshme për hapjen e bisedimeve integruese. “Në këtë moment është shumë herët, sepse nuk e dimë nëse qeveria e Serbisë do të zbatojë gjithçka që ka premtuar.
Nëse e shpërbleni dikë që nuk i ka kryer detyrat e shtëpisë, atëherë do të dërgoni mesazh të gabuar. Nëse gjërat shkojnë mirë dhe ka progres, atëherë mund ta japim atë çmim/shpërblim të hapjes së negociatave”, tha ajo.
Von Cramon përplasje me Brnabiç
Viola von Cramon ka pasur dje një përplasje në Twitter me Kryeministren e Serbisë Ana Brnabiç. Kjo e fundit postoi disa Tweet-e ku akuzonte zonjën Von Cramon se favorizonte Kosovën dhe se për të zbatimi i ligjit është ndryshe kur bëhet fjalë për Kosovën dhe ndryshe kur bëhet fjalë për Beogradin.
Në një tjetër postin, Brnabiç ka pyetur eurodeputeten Von Cramon nëse serbët në Kosovë nuk kanë të njëjtat të drejta si qytetarët tjerë, duke e ashpërsuar edhe më tej tonin e duke e quajtur Von Cramon hipokrite dhe situatën trishtuese. Nga ana tjetër, deputetja gjermane në Parlamentin Europian i është përgjigjur Kryeministres serbe, duke u shprehur se për të, sundimi i ligjit i referohet trajtimit të barabartë të të gjithëve para tij, qoftë në Loznicë, Mitrovicën e Veriut apo Gjermani.
“Sundimi i ligjit ka të bëjë me trajtimin e barabartë për të gjithë para ligjit, qoftë në Loznicë, Mitrovicë Veriore apo Gjermani. Unë gjithmonë do t’i mbroj të drejtat civile dhe të njeriut pavarësisht nga kombësia e dikujt. Herën tjetër, në vend që të më sulmoni, mund të përpiqeni të flisni me njerëzit tuaj në Nedeljice”, shkroi Von Cramon në Twitter.