Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi ka reaguar dje ashpër sa i takon akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha ndaj Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe në lidhje me paketën ligjore të Partisë Demokratike për dekomunistizimin.
Ish-kryeministri Berisha përmes një shkrimi e cilësoi luftën partizane si luftë vëllavrasëse, ndërkohë që PD ka kërkuar dekomustizimin, nismë kjo që është riaktivizuar pasi deputeti socialist, Bujar Çela, uroi kolegët socialistë dhe demokratë me fotografinë e diktatorit Enver Hoxha.
Por përmes një reagimi për gazetën “SOT”, deputeti Koçi e ka cilësuar nismën e Partisë Demokratike si qesharake, ndërsa theksoi se komunizmi në Shqipëri ka vdekur qysh kur Berisha u shpall “non grata” nga SHBA. “Dekomunistizimi i Partisë Demokratike mbetet akoma një sfidë politike aktive. Antikomunizmi qesharak dhe komunist i PD nuk është rruga e duhur për të pastruar Partinë Demokratike nga modeli i luftës së djathtë të klasave.
Garë karnavalesh do ta quaja atë mes disa nostalgjikëve të mekur të Enverit dhe të alarmuarve qesharakë në Partinë Demokratike që e përdorin sjelljen e të parëve për të gjetur kauzë politikë. Komunizmi ka vdekur! Është shpallur “non grata” bashkë me Saliun”, deklaroi ai.
Më tej deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi gjatë prononcimit për gazetën “SOT”, e cilësoi çlirimin e Shqipërisë dhe LANÇ-in si krenarinë e Shqipërisë. “29 Nëntori 1944 është ditë e krenarisë dhe nderit ndërkombëtar të Shqiptarisë. I shpëtuam turpit ku desh na zhyti i ashtuquajturi “nacionalizmi antikomunist” që do na katandiste bashkëpunëtorë të boshtit nazifashist.
Falë partizanëve nacional-çlirimtarë ne u rreshtuam me fitoren! Bekuar qofshin ata burra dhe gra të mençura që morën vendimin politik dhe ushtarak për ta shporrur pushtuesin! Nëse terrenin politik dhe ushtarak do e merrnin ata që kërkonin Shqipërinë e Madhe do kishim humbur dhe të voglën.
Ballistët në krah të pushtuesve u përpoqën ta kthenin në lufte civile, por populli mbështeti fuqishëm LANÇ”, nënvizoi deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi. Dje u përkujtua 77-vjetori i Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazi-fashistë gjatë Luftës së Dytë Botërore.