Blend Çobani-Jurist
Janë të vetmet fjalë që i korrespondojnë më së miri situatës në të cilën për fat të keq ndodhet sot Drejtësia shqiptare. Në këto ditë si asnjëherë më parë në historinë e Drejtësisë në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese doli jashtë funksionit, pra mbylli dyert dhe kur kjo ndodh, moralisht një shtet demokratik ka rënë. Komisioni i Vetting-ut së fundi vendosi që edhe gjykatësi kushtetues i rradhës të përjashtohet nga sistemi i Drejtësisë.
E përfaqësuar nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së pestë Shqiptare e cila tashmë gjendet në vdekje klinike, që duhet të ishte kurora e sistemit të Drejtësisë, ky i fundit paraqitet në ditën më të zezë të tij gjatë 105 vjetëve të historisë të këtij shteti. Njëkohësisht duke vërtetuar katërcipërisht qindra mijëra akuzat e ngritura së pari nga qytetarët shqiptarë alias viktimat permanente të këtij sistemi “kanibal” dhe së dyti nga të gjithë miqtë e huaj pa asnjë dallim.
Pa harruar se ky është vetëm fillimi. Një kuriozitet historik edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, sistemi i Drejtësisë në shtetin Shqiptar, në të gjitha etapat, funksiononte krejt normalisht dhe për këtë ka dokumente. E pra jashtë dyerve të gjykatave luftohej, por brenda punohej.
Dëgjoja para pak ditësh ish kryeprokurorin e Republikës, që ankohej në formë sugjerimi se Komisioni i Vetting-ut, po kërkon gjilpërën në kashtë për gjykatësit dhe prokurorët të cilët sipas nënkuptimit të zotërisë duhet të tolerohen dhe të mos ngarkohen me përgjegjësi për kohrat kur shpjegimi i prejardhjes së pasurisë së pafund që pasqyrojnë sot, nuk ka qenë detyrim ligjor!!!
Edhe ky zotëria si një nga drejtuesit më të lartë të sistemit të drejtësisë të kohës me ato që tha në formën më joprofesionale të mundshme për mendimin tim, me ose pa dashje u mundua të justifikonte kolegët e tij tashmë të penalizuar dhe ata që presin gjithë ankth e frikë rradhën e marrjes në pyetje.
Po pse more zotni, edhe për punonjësit e Drejtësisë duhet të kishte paragrafe ligjesh që ata të ndalnin dorën e grabitjes dhe thesin e grumbullimit të parave dhe të gjithçkaje tjetër nga shqiptarët hallemëdhenj, e jo një skaner të brendshëm moral, një ndërgjegje njerëzore e profesionale të lartë e cila si një barrierë e pakapërcyeshme duhet të pengonte babëzinë e pafund makabre për të grabitur vëllezërit e motrat e tyre!?
Dhe motoja e ndershmërisë duhet të ishte, UNË JAM GJYKATËS dhe kam fatet e njerëzve në dorë, e jo siç ka qenë dhe është UNË JAM GJYKATËS, o burra me jatagan në dorë të korr sa më shumë pasuri për vete duke grabitur hallemëdhenjtë e varfanjakët bashkëkombas! E kjo sigurisht me moton DUKE MOS DHËNË DREJTËSI!
Asesi nuk kam ndërmend të merrem me personin por vetëm me fenomenin, i cili ka qenë dhe është mjaft shqetësues, destabilizues dhe në fund skandaloz. Personalisht shumë vite më parë kam patur mundësinë të gjendem pranë sistemit të institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale duke mu dhënë rasti të njihesha nga afër edhe me sistemin e Drejtësisë në përgjithësi.
O tempora o mores! Edhe sot e kësaj dite që ka kaluar gati një dekadë e gjysëm, kam parasysh atë çka ndodhte ditën për diell, me seriozitetin më të madh dhe pa pikën e turpit me atë pjesë të sistemit ku përfshiheshin ato institucione.
Mjerim, mafie, makinë grirëse mishi, jaka të bardha me butona e kollare të shtrenjta, korrupsion i paskrupullt dhe mbi kë? Mbi kurrizin e disa fukarenjve të dënuar e familjarëve të tyre, ku edhe për një ulje dënimi 15 ditore ishte vënë tarifa. Absolutisht nuk po marr përsipër të mbroj vrasësit apo hajdutët, por krahasuar me ata, vendimmarrësit e tyre sot e kësaj ditë pas afro 30 vjetësh, duken shumë herë më shumë kriminelë se ata që dënuan dikur.
Kjo është përshtypja e të mos bëhen hiç merak, se kështu mendon populli, ose ndryshe Sovrani. Lëmshi më i zi i ngatërruar që është rrotulluar ndonjëherë në Shqipërinë 105 vjeçare, i cili si një tumor me efekt të ngadalshëm po e shkatërron gradualisht këtë shoqëri, këtë vend, ku së pari ka hequr shpresën se këtu mund të ketë drejtësi, se këtu mund të shkojnë gjërat në vend nëpërmjet drejtësisë, se këtu mund të ketë më së fundi Shpresë.
Një demokraci në kuptimin më të shëndetshëm si mund të përkthehet ndryshe, kuptueshëm për qytetarët, për ne të gjithë, se sa vetëm në dhënien e Drejtësisë ose më shqip duke shkuar haka tek i zoti. Vetëm bilanci i varreve të shqiptarëve, bashkatdhetarëve të tyre fatzinj, të hapura e mbyllura nga mosdhënia drejtësi, duhet të kishte bërë atë që trupa e drejtësisë përfshirë gjykatës dhe prokurorë, të paktën të kishin mbyllur dyert e atyre zyrave që i kanë kthyer në ambiente biznesi, e të ishin fshirë nga sytë e opinionit.
Më së paku ky do të ishte një lloj dinjiteti. Të moskeqkuptohem, logjikisht kjo batare që po përdor nuk i takon të gjithëve, por ajo që mund të mbetet nga skaneri i përgjithshëm është kaq pak sa për hir të së vërtetës as që ia vlen të diskutohet.
Po ta vësh re me kujdes të gjitha demokracitë ku ne aspirojmë tu bashkohemi, kanë si një Panteon të lartë një sistem Drejtësie, jo vetëm të padiskutueshëm në vendimmarrje, por të paprekshëm në integritet, hijerëndë dhe të fortë. Në këtë kuptim gjen vend plotësisht thënia e mësuesit dhe filozofit të madh Konfuci, se “Pasuria më e madhe e një shteti është Drejtësia”.
Askush nga ne dhe më i informuari, nuk ka dëgjuar ndonjëherë në vendet e vërteta demokratike ndonjë diskutim publik kombëtar ku temë të jetë integriteti i gjykatës si trupë, sepse vendimarrja patjetër që do të diskutohet, pasi gjithmonë ka një humbës.
Jo apartamente qytet+bregdet, truall për ndërtime në resortet më të mira të vendit, restorante, karburante, automjete të shtrenjta të prodhimeve të fundit, rezidenca jashtë dhe brenda vendit, llogari bankare në disa monedha e në shumë banka, e ku dreqin ta dish tjetër, se patjetër që shumë të tjera fshihen, deri edhe me emra komshinjsh, etj, etj., por një stilograf i dhuruar dhe i padeklaruar i kushtoi vendin një gjykatësi të lartë në Austri! Sepse ai që pranon lapsin, pranon edhe apartamentin, se për paranë as që bëhet fjalë.
Dikush shtronte pyetjen se çfarë do të ndodhë me sitemin pasi me këtë ritëm rrezikohen gati 80-90% e trupës gjyqësore të shkarkohen? Pa marrë leje nga ai zotëria po përgjigjem unë, në esfelt vafshin, se më mirë pa gjykata fare se sa me ato që janë sot, të mbushura me peshkaqenë, hiena e çakenj, me fytyra njerëzore. Në esfelt!
Falë Zotit tani kohrat kanë ndryshuar, pranë nesh vigjilon Amerika, e ajo nuk të lë të bësh as çapin as shkrapin e falë saj duket se ka nisur të ngushtohet me shpejtësi gryka e shishes, derisa një ditë të bukur do ti vihet tapa.
Situatë e pashpresë për ata që janë duke bërë plane tani se si të fshehin pasuritë e tundshme e të patundshme, se në fakt për nivelin e tyre mediokër e instiktiv, kjo është kuptuar ashtu siç edhe po e demonstrojnë. Gënjeshtra, mashtrime, justifikime deri tek disa të tilla qersharake si një e para disa ditëve, se këto para i kam fituar nga ato që më hodhën në dasëm!
Turp i madh! Një tmerr i vërtetë ta mendosh që këta individë krejt të panjohur për shoqërinë, anonimë e për atë çka kanë emetuar aspak profesionalë, me karakter të gjymtuar të kenë dhënë drejtësi në këtë vend për afro tre dekada, por ja që e tillë është gjendja e nuk bëhet ndryshe.
Këta persona harruan një gjë shumë të rëndësishme gjatë gjithë këtyre viteve të biznesit me jetët dhe fatet e bashkëatdhetarëve të tyre, se dikur duhet paguar fatura, dikur do jepet llogari, e kjo kohë me sa po duket u bë realitet dhe nuk mbeti si një imazh në horizont, kjo kohë erdhi shumë shpejt. E gjitha kjo pa asnjë diskutim është produkt Made in USA.
Për këtë të dashur bashkëkombas duhet t’ja dimë për falemnderit si popull vetëm Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila si gjithmonë si një edukatore e mirë dhe e dashur, por kur është nevoja edhe e ashpër, na ka marrë për dore dhe po na edukon, po na drejton atje ku duhet të shkojmë duke u përpjekur të na shpëtojë nga humnerat e politikës së plepave të cilat ju imponuan dhunshëm shoqërisë shqiptare këto gati 30 vjet.
E për habinë tjetër shumë prej këtyre personave të sistemit të Drejtësisë janë të afërm, familjarë, miq, sponsorë, dashnorë e dashnore, bashkëpronarë në biznese, lidhje gjithëfarëshe me një pjesë jo të vogël të klasës politike. E këtë Amerika e di, e di shumë më mirë se çmund t’ju shkojë në mendje atyre aguridheve që përpiqen të fshihen si struci, deri në detaje, ndaj ka ofruar një fshesë me korent të markës “Vetting” dhe ka zgjedhur një prokurore pa asnjë lidhje me bulevardin dhe selitë rreth e qark tij, të cilët prezumohet të jenë të aftë të kryejnë pastrime të të gjitha niveleve e qosheve të shtëpisë.
Sigurisht që kjo do të shkaktojë efektin e reaksonit zinxhir, e këtu fle lepuri ose gjitari me lëkurë lepuri apo deleje. Reagimi i parë erdhi menjëherë, para pak ditësh kur një parti politike i shpalli luftë prokurorisë, e kjo ndodh gjithmonë në Shqipëri, kur e njëjta parti i shpall herë pas here luftë institucioneve të shtetit. Nga ana tjetër ky është një lajm i mirë, duket se bisturia sapo ka prekur pjesën e sëmurë. Më pas të shohim.
Haka duhet të kthehet tek i zoti, pasuritë e grabitura nëpërmjet zyrave të shtetit, duhet tu kthehen qytetarëve, atyre që u është rrjepur lëkura me shumë mjeshtri për afro tre dekada.
Nga ana tjetër fatkeqësi për Shqipërinë që me sa po shihet Drejtësia është në grahmat e fundit, si një trup i sëmurë që po jep shpirt. Siç duket kësaj here një sistem i tërë i Vjetër do të duhet të shkulet nga rrënjët duke u flakur tutje e duhet mbjellë një i Ri!
Zoti e ndihmoftë vendin tim!/JavaNews