“Koha që vjen, është koha e shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor”, kështu është shprehur Avokati Spartak Ngjela në kuadër të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.
“Gëzuar 28 Nëntorin; ditën që hodhi themelet e shqiptarisë se re; dhe solli me vete, në kohë, vijimin historik për një shqiptari të bashkuar”, shkruan avokati.
Postimi i Ngjelës
28 Nëntori i këtij viti erdhi bashkë me marrëveshjen shumëplanëshe Shqipëri – Kosovë.
Kjo ishte marrëveshja e parë. Por shenjtëria e 28 Nëntorit kërkon ende edhe më shumë…
l.
Erdhi koha reale e historisë së Shqipërisë: u arrit më në fund marrëveshja e parë për bashkimin kombëtar midis Shqipërisë dhe Kosovës. Të dy kryeministrat e të dy shteteve shqiptarë në Ballkanin Perëndimor, pardje, nënshkruan një marrëveshje në rrafsh shumë të gjerë midis dy shteteve.
Ky ishte një hap gjigand, i cili e futi historinë e Shqipërisë në hullinë e Rilindjes Kombëtare dhe në atë të heroikës shqiptare, për të shpëtuar etninë shqiptare në Ballkanin Perëndimor: që ajo të mos zhdukej si etni nga hordhitë ruse, serbe dhe greke.
Dhe ja, pikërisht këtë e tregoi me fakt ndërkombëtarisht nënshkrimi i marrëveshjes shumëplanëshe Shqipëri-Kosovë, dy ditë më parë.
ll.
Por, çfarë realisht sjell kjo marrëveshje e gjerë Shqipëri-Kosovë?
Filloi një etapë e re e Shqipërisë dhe shqiptarëve, për konkretizimin e bashkimit kombëtar.
Historia e re Shqipërisë erdhi realisht, më në fund, pas dy shekujsh.
Era e re e saj, filloi në vitin 1999, kur solli çlirimin e shqiptarëve me një forcë e cila tani nuk mund të ndalet:
Ishte lufta e NATO-s kundër Serbisë që çliroi Kosovën; ishte shpallja e pavarësisë së Kosovës; ishte pranimi i Shqipërisë në NATO; ishte armatosja e Kosovës dhe ngritja e ushtrisë së saj; por, është edhe politika amerikane e angazhuar tërësisht për shqiptarët, me theksimin e saj se “Shqiptarët janë aleatët tanë parësorë në Ballkanin Perëndimor”.
Të gjitha këto po iu japin më në fund shqiptarëve vendin e tyre të merituar në histori, duke iu kthyer atyre territoret e pushtuara nga fqinjët.
Koha që vjen, është koha e shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor.
lll.
Historia e dhimbshme e Shqipërisë ka filluar të rishkruhet brenda të vërtetës së faktuar; dhe, tani, të gjithë po e kuptojnë lojën e shëmtuar antishqiptare që është bërë në favor të fqinjëve të Shqipërisë. U desh genocidi 200 vjeçar kundrejt shqiptarëve që të krijoheshin katër shtete në Ballkanin Perëndimor: Greqia; Serbia; Maqedonia dhe Mali i Zi; dhe, që të katër këta, nëpër territoret shqiptare. Por sot, në këtë zonë janë 8 milionë shqiptarë: në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi dhe në Serbi.
Kurse historia e shqiptarëve, e cila tani po shkruhet dhe po transmetohet botërisht mes dokumenteve autentike, ka ende dhe shumë për të treguar: për gjuhën shqipe si një gjuhë me potencë të madhe historike; për historinë e arvanitëve në Greqi, për shpërnguljen genocidale të çamëve nga territoret mijëravjeçare të shqiptarëve; për genocidin e gjatë antishqiptar, dhe, për territoret shqiptare.
Prandaj, tani, është bash çasti historik i bashkimit kombëtar të shqiptarëve, sepse kjo është cok koha që kërkon shpagimin moral ndaj gjithkujt që ka ndërmarrë veprat antishqiptare.
Gëzuar 28 Nëntorin; ditën që hodhi themelet e shqiptarisë se re; dhe solli me vete, në kohë, vijimin historik për një shqiptari të bashkuar.