Kthesë në hetimet për vrasjen barbare të 8-vjeçarit Mateo Vasiu nga fqinji i tij Klodian Çalamani në fshatin Grecalli të Fierit.
Një ditë pasi shtëpia e autorit u shkrumbua nga zjarri, policia e Fierit dyshon se ngjarja është e qëllimshme.
Referuar burimeve pranë grupit hetimor zjarri mund të jetë vendosur nga ndonjë banor i zonës për të fshehur gjurmët e vrasjes së të miturit.
“Kjo ngjarje nuk mund të jetë e rastësishme dhe nuk është shkaktuar nga ndonjë shkëndijë elektrike, apo bombol gazi”, thonë burimet për ABC News.
Nga verifikimet e kryera rezultoi se energjia elektrike aty është ndërprerë që pas arrestimit të 38-vjeçarit. Ndërsa në dhomën ku ai jetonte nuk kishte bombol gazi. Këto fakte, e kanë shtyrë policinë të dyshojnë se pas kësaj ngjarje mund të fshihet ndonjë banor i fshatit Grecalli të Fierit.
Hetuesit dyshojnë se me djegien e banesës së Klodian Çalamanit, autori është përpjekur të fshehë gjurmët dhe bashkëpunëtorët në vrasjen e Mateos. Pista e një bashkëpunëtori në vrasjen makabre të 8-vjeçarit po hetohet nga Policia dhe Prokuroria e Fierit, pas deklaratave të bëra nga familjarët e Mateos.
Ata pretendojnë se i mituri mund të jetë vrarë nga Çalamani në mënyrë që të mos nxirrte ndonjë sekret apo diçka që Mateo mund të kishte parë.
Ky sekret, dyshohet se ka të bëjë me një lidhje intime mes Çalamanit dhe një personi tjetër të fshatit Grecalli. Pikërisht për këtë person ende të paidentifikuar, policia dyshon se është edhe autor i zjarrvënies në banesën e 38-vjeçarit.