Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një vizitë në Vatikan, Itali, me rastin e 30 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë.
Kryeministri, i cili u shoqërohej në këtë vizitë nga bashkëshortja Linda Rama dhe djali i tij Zaho, u prit në një takim të veçantë nga Papa Francesku, në Pallatin Apostolik të Vatikanit.
Ky është takimi i dytë që Kryeministri Rama zhvilloi me Atin e Shenjtë. Biseda e përzemërt mes tyre, u fokusua në marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes Selisë së Shenjtë dhe Shqipërisë dhe vullneti i përbashkët për forcimin e tyre të mëtejshëm.
Në shkëmbimin tradicional të dhuratave, Papa Françesku i dhuroi Kryeministrit Rama një basoreliev prej bronzi të Noah, disa dokumente papale, ndër të cilat mesazhin e këtij viti për Ditën Botërore të Paqes.
Nga ana e tij, Kryeministri Rama i dhuroi Papa Franceskut mes të tjerash një letër të njohur të At Gjergj Fishtës.
Më herët, Kryeministri u prit nga Eminenca e Tij, Kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit i Shenjtërisë së Tij, të cilin Kryeminisri e nderoi me dhënien e Kordonit të Madh me Yllin “Benemerenti”, në një ceremoni të posaçme.
Duke falenderuar në emër të përfaqësuesve të lartë të Sekretarisë së shtetit, Kardinali Pietro Parolin u shpreh se “Ky gjest shpreh mirënjohjen për atë çka Selia e Shenjtë, Papa dhe bashkëpunëtorët e tij, kanë bërë dhe po bëjnë për Shqipërinë dhe për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.”
Kryeministri Rama u prit gjatë kësaj vizite nga Prefekti i Shtëpisë Papnore dhe Zotërinj të Shenjtërisë së Tij, në Pallatin Apostolik të Vatikanit.
Kryeministri vendosi lule në varrin e Papës shqiptar Klementi XI, i quajtur edhe Papa Albani si dhe në varrin e Gjon Palit II, mik i çmuar i Shqipërisë.