Në 30 vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri- Vatikan, kryeministri Edi Rama së bashku me bashkëshorten dhe djalin Zaho kanë shkuar në Selinë e Shenjtë ku janë takuar me Papa Franceskuin.
Pasi u prit nga Papa, Rama u takua edhe me Sekretarin Kardinal të Shtetit, Pietro Parolin, Kryepeshkopin Paul R.Gallagher.
Gjatë bisedës, Rama dhe Papa Françesku folën për marrëdhëniet e mira që ekzistojnë mes Selisë së Shenjtë dhe Shqipërisë. Ata diskutuan tema me interes të përbashkët në lidhje me marrëdhëniet midis komuniteteve kishtare dhe civile, kontributin e Kishës për të mirën e përbashkët të shoqërisë shqiptare, migrimin dhe paqen.
Gjithashtu u diskutuan çështjet kryesore rajonale, duke përfshirë situatën në Ballkanin Perëndimor dhe ecurinë e Shqipërisë dhe vendeve të tjera drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian.
Pas bisedës, Papa Françesku i dhuroi kryeministrit Rama një basoreliev prej bronzi të Noes. Gjithashtu i dha atij dokumente papale, duke përfshirë mesazhin e këtij viti për Ditën Botërore të Paqes me temën “Kultura e kujdesit si një rrugë drejt paqes”, dokumentin mbi Vëllazërinë njerëzore për paqen botërore dhe të jetuarit së bashku.
Ndërsa kryeministri Edi Rama i dhuroi Papa Françeskut një ikonë të “Madonna dell’Avvento” dhe një ikonë të Shën Françeskut. Ai i dhuroi gjithashtu dy piktura dhe një letër nga Gjergj Fishta, një françeskan shqiptar, poet, filozof dhe i konsideruar si një nga shkrimtarët shqiptarë më me ndikim të shekullit të 20-të.