PD, partia më e madhe opozitare në Shqipëri ka humbur rolin e të bërit opozitë aktualisht, kritikon intelektuali e ish-ministri i Jashtëm shqiptar, Besnik Mustafaj. Dy kuvendet e PD ai i quan karikaturale.
Aktualisht Partia Demokratike është në krizë e po merret me luftën brenda vetes, në vend që të bëjë opozitë. Sa e ka dëmtuar kjo peshën e vërtetë që duhet të ketë opozita?
Praktikisht opozita është e shfokusuar komplet, është jashtë rolit të saj si opozitë politike ndaj një mazhorance arrogante dhe të korruptuar. Në këtë kuptim shoqëria ka humbur shumë nga kjo humbje e rolit të opozitës, që është një rol kushtetues, është rol politik, por edhe një rol moral për shoqërinë demokratike.
Rrezikon përçarjen e plotë Partia Demokratike?
Pjesa tjetër a e rrezikon përçarjen dhe çdo të japë ky debat i brendshëm i cili do të finalizohet me dy kuvende në mënyrë karikaturale, me thënë të drejtën, shpresoj shumë që kjo do të arrij një qëllim: që është rizgjimi i demokratëve, të cilët pas humbjes së 25 Prillit, ishin në gjendje traumatike masivisht, të dëshpëruar, gjendje depresive pa asnjë motivim të vërtetë për të bërë luftë politike.
Mendoni se mund të kemi dy parti pas 18 dhjetorit jo më një PD unike?
Unë konstatoj që Berisha po arrin të zgjojë bazën e Partisë Demokratike, masën e anëtarëve dhe simpatizantëve të saj, e ky është shërbim i madh që ai i bën PD-së. Pastaj prodhimi e rezultati institucional, si do të vazhdojë udhëheqja e drejtimi i Partisë Demokratike, a do të vazhdojë Lulzim Basha apo do të kemi zgjedhje të reja, ky është një problem që nuk e parashikoj dot me siguri, është një problem procedurial, një problem statutor, por edhe një problem që lidhet me karakteret e të dy liderëve edhe të Bashës edhe të Berishës, që sot faktikisht kanë shkuar në një pikë, ku unë nuk shoh asnjë mundësi kompromisi.
Përplasja mes Bashës e Berishë tani është e ashpër, nuk shikoni mundësi dialogu pas kongresit të dytë të 18 dhjetorit?
Unë shpresoj që po, të shohim ndryshimet statutore, të cilat unë vetë i mendoj, se janë të drejta, ato që kërkon Berisha, dhe ekipi i tij. Ai ka tanimë mjaft ish-drejtues të Partisë Demokratike që i janë bashkuar, i është bashkuar Forumi Rinor, ka shkuar masivisht edhe Lidhja e Gruas Demokrate.
Berisha u shpall “person non grata” nga SHBA. Çfarë do i sillte PD-së një Berishë në krye me një përplasje të hapur me palën amerikane? Rrezikon izolimin PD?
Unë nuk jam nga ata pesimistë që mendojnë se ardhja e Berishës do shënonte një luftë mes PD dhe Shteteve të Bashkuara. E para Berisha e ka ndarë çështjen e vet me Departamentin e Shtetit nga dialogu me demokratët. Ka pasur flamuj amerikanë në të gjitha mitingjet e tij dhe ai e ka shpallur se e ka çështje private dhe do e zgjidhë me drejtësinë. Tjetra, diplomacia amerikane është pragmatiste dhe punon me ata që janë faktorë. Për mua nuk është Berisha zgjidhja më e mirë e mundshme në krye të PD-së, por as Basha nuk është një zgjidhje e mirë.