Ilir Meta ka vendosur të përdorë “kartën e patriotizmit”, si alibi për të justifikuar zhvillimet që mund të vijnë më pas. Më 18 janar mund të vuloset shkarkimi i tij dhe janë të shumtë ata që mendojnë se ai mund të ketë fatin e ish-kryeministrit Berisha, pra rrezikon të shpallet “non grata” nga SHBA.
Por kreu i shtetit ashtu si miku i tij, ka filluar të krijojë alibinë duke u kapur po te çështja e kufijve të Kosovës. Berisha deklaron se u shpall “non grata” pse sulmoi projektin e ndryshimit të kufijve, ndërkohë duket se këtë rrugë po ndjek edhe Meta.
Teksa dje në Beograd shkoi i dërguari i DASH, Gabriel Escobar për të diskutuar për “Ballkanin e Hapur”, Meta u shfaq në Prishtinë dhe e sulmoi ashpër këtë nismë si dhe idenë e rishikimit të kufijve. Presidenti gjatë fjalës së tij u shpreh se është e pabesueshme për të që në rajon të ndryshojnë kufijtë, qoftë dhe në një fshat të vetëm.
“Me rëndësi t’i qëndrojmë parimeve gjithëpërfshirëse si deri tani, nuk kam besuar asnjë herë e s’kam për të besuar asnjëherë në këtë botë se në këtë rajon mund të ndryshojnë kufijtë edhe në një fshat të vetëm. Për mua është e pabesueshme se historia e ka treguar këtë.
Çdo hapje e temave të tilla kërkon të minojë të ardhmen europiane të rajonit tonë dhe është në interes të tjetër kujt, nuk është në interes të asnjë populli të rajonit tonë. S’ka zgjidhje duke patur më pak serb në Kosovë apo më pak shqiptarë në Serbi, apo kudo tjetër. Zgjidhja është më shumë demokraci e të drejta të minoriteteve”, tha Meta.
Meta: “Ballkani i Hapur” është nismë përçarëse
Nga ana tjetër presidenti ka sulmuar edhe nismën e “Ballkanit të Hapur”. Ai u shpreh se një aksion i tillë politik dhe mohimi i gjenocidit nuk mund të bashkëjetojnë me aspiratat europiane. Presidenti tha se Procesi i Berlinit është ai që ka dhënë rezultate konkrete dhe është treguar gjithëpërfshirës .
Sipas tij, “Ballkani i Hapur” është një nismë që përçan dhe përjashton. “Deklaratat dhe aksionet e caktuara politike, frymëzimi i kriminelëve të luftës dhe mohimi i gjenocidit nuk mund të bashkëjetojnë me aspiratat europiane.
Shqipëria duhet të përmbushë angazhimet e saj si vend anëtar i NATO-s, Kosova duhet të punojë pa u lodhur për anëtarësimin në NATO dhe rrugën drejt BE-së. Po konstatojmë halucinacione të padobishme si në drejtim të marrëdhënieve me Kosovën dhe BE e kam fjalën për të ashtë-quajturin “Open Balkan”.
Është me rëndësi që të kemi në konsideratë parimet që garantojnë një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe afatgjata. Si mund ti besojmë qëllimeve të mira kur ringjallet fantazma e Millosheviçit?! Procesi i Berlinit është gjithëpërfshirës dhe ka dhënë rezultate konkrete, pasi shoqërohet me garancitë dhe mbështetjen financiare të BE, që ka ngritur mekanizma zbatues dhe monitorues. Përkundrejt kësaj, “Ballkani i Hapur” është nismë përçarëse dhe përjashtuese”, tha Meta./SOT