Gazetari Mentor Kikia ka analizuar situatën politike në vend. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kikia shkruan se çorba e thartuar po zien sërish në kazanin e politikës.
Sipas tij, Berisha dhe Meta janë bërë bashkë kundër Bashës dhe për momentin Rama po shijon fatin që i ka ardhur në derë. Mirëpo Kikia ngre shqetësimin se çfarë do të ndodhë kur çifti Berisha-Meta të spostojnë Bashën?
Postimi i plotë:
Çorba e thartuar që po zjen sërish në kazanin e politikës
Politika në Shqipëri po zjen.
Në shesh janë tre aktorë; Rama, Basha dhe Berisha-Meta. Këta të fundit, janë bërë bashkë në një përpjekje, ndoshta të fundit në karrierën e tyre, për të larguar Bashën dhe për të marrë kontrollin e opozitës, në rrugën drejt rikthimit në pushtet.
Eshtë edhe një aktor i katërt, që nuk garon, por është shumë aktiv. Ndërkombëtarët, përfaqësuar nga Ambasada e SHBA.
Ajo është investuar publikisht për të penguar Berishën në marrjen e drejtimit të opozitës, dhe ka demonstruar një kundërshti, po ashtu publike, ndaj Metës si president, për qëndrimet e tij para zgjedhjeve të 25 prillit.
Basha ka varur shpresën pikërisht tek mbështetja e Ambasadës së SHBA, që të pengojë Berishën dhe ti japë atij shtysën drejt pushtetit. Ndërsa Rama, për momentin është në anije kozmike, po shijon fatin që i ka ardhur në derë. Të paktën deri sa në PD të mbarojë “lufta civile”.
Pyetja që bëhet sot në çdo tryeze ku pijnë kafe më shumë se 2 persona, është: Çfarë do të ndodhë?
Këtë nuk di ta them me saktësi. Por gjasat janë që dyshja Berisha-Meta ta spostojnë Bashën. Nese do tye ndodhe kjo, atehere dilemë më të madhe nuk do të ketë për shqiptarët: Të mbajnë Ramën në qeveri për një mandat të katërt, apo të rikthejnë çiftin Berisha-Meta?
Ndërsa ajo që di të them me saktësi është se ajo që po zjen e do të zjejë në kazanin e politikës, është e njëjta gjellë që gatuhet e riciklohet prej 3 dekadash. E njëjta çorbë e thartuar, të cilës i hidhen erëza të ndryshme. Por që në shije është qelbur e gjitha.