Vetëm pak javë pasi u shpall kampion absolut në eventin mbarëkombëtar “Kupa e Shqipërisë” në Bodybuilding, Marin Meksi ka shënuar një tjetër rezultat të shkëlqyer.
Këtë herë suksesi është i përmasave akoma më të mëdha, teksa 35-vjeçari me profesion diplomat ka triumfuar në Kampionatin Botëror të Ligës Profesioniste “IFBB Pro Diamond Cup”, aktivitet që u mbajt në Portugali.
Meksi zuri vendin e parë në kategorinë “Men’s Classic Bodybuilding up to 180”, duke e ngjitur kështu Shqipërinë në shkallën më të lartë të podiumit. Ndërsa regjistroi gjithashtu një tjetër rezultat të shkëlqyer, teksa siguroi vendin e katërt në “Absolut, Men’s Classic Bodybuilding Open”.
Kështu, medalja e artë dhe “Diamond Cup” vijnë në Shqipëri, falë Marin Meksit. Për këtë arritje fantastike, vetë sportisti ka reaguar me anë të një postimi në rrjetet sociale, ku shkruan:
“Të nderuar miq, pas një lufte titanesh, me pjesëmarrjen e rreth 400 kampionëve më të mirë të planetit, u shpalla kampion në Kampionatin Botëror të Ligës Profesioniste IFBB Pro ‘Diamond Cup’, në Portugali në kategorinë ‘Men’s Classic Bodybuiliding up to 180’ dhe zura vendin e katërt në ‘Absolut, Men’s Classic Bodybuilding Open’.
Diamond Cup dhe medalja e arte mbërrijnë në Tiranë! Falenderoj Krijuesin, Familjen time, Shtetin Shqiptar, Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme – Republikën e Shqipërisë, Federatën Shqiptare të Bodybuilding me ne krye legjendën z.Rando Kukeli, KOKSH-in, Federatën e Kosovës me në krye presidentin, gjeneral Esat Lata dhe SP z.Sabri Dragusha, Federatën e RMV me në krye z.Boban, Federatën Portugeze me z.Jose Monteiro, IFBB dhe z.Santonja, trajnerin tim Abdul Fauaz.
Në Porto pata gjithashtu mbështetjen e pa kursyer të legjendës tonë të futballit z.Edi Abazi, si dhe gjithë popullin Shqiptar që më përkrahu në çdo hap. ‘In God we Trust’”, shkruan Marin Meksi në postimin e tij.