Cila është këmbana që do tundet më 10 apo 11 dhjetor? Do të jetë këmbanë e një “kapele” apo “katedraleje politike” siç është Uashingtoni zyrtar? Aq më shumë se titulli i këmbanave nuk ishte në shqip, por në anglisht, ndaj dhe drithërimat janë më të mëdha…
Në ditën e hapjes së Panairit të Librit në Tiranë, ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, u shfaq në publik me kopertinën e klasikut Ernest Hemiguej: “Përse bien këto këmbana”.
Libri që po lexonte ambasadorja, nuk ishte në gjuhën shqipe, pra i marrë në Panair, si një nga botimet e reja të ndonjë shtëpie botuese shqiptare, por ishte në gjuhën angleze dhe përfaqësonte një botim amerikan. Që do të thotë, se nuk kishim të bënim me ndonjë promovim apo një këshillë leximi për miqtë e librit, por me një mesazh të pastër e të qartë politik.
Një metaforë që përdoret shpesh në debatin politik në mbarë botën, kur duhet të parajmërohet diçka e madhe, e rëndësishme.
E në fakt, pas këtij mesazhi të ambasadores amerikane, të vetmit që reaguan në mënyrë agresive ishin: Sali Berisha dhe Ilir Meta.
Berisha, arriti deri aty, sa paralajmëroi përfaqësuesen e Presidentit të SHBA-së në Shqipëri, se nëse ai bëhet kryetar i PD-së, selia e partisë më e madhe të opozitës do të jetë e mbyllur për të. Që do të thotë se “SHBA është non grata në PD-në e Sali Berishës”.
Ndërkaq, Ilir Meta, përveçse sulmoi ashpërsisht Lulzim Bashën në dy mesazhe të njëpasnjëshme, e kërcënoi atë personalisht, duke përdorur si lajmëtar mbështetësin e kreut të PD-së, Agron Gjekmarkaj.
Mesazhi i Metës u dha në hollin e Hotel Rognerit, i cili siç dihet është një sallon i rëndësishëm ku qarkullojnë politikanë të lartë dhe diplomatë të huaj në Shqipëri.
Dikush mund ta lidhë shpërthimin e Ilir Metës, si pasojë e ndonjë teprimi me rakinë, çka është bërë edhe si tip humori mbarëkombëtar tashmë, por realisht nuk është tamam ashtu.
Ilir Meta, nuk shkoi në Rogner për t’u ulur në një banak, ku të ngushëllohej me një gotë nga stresi i madh, përndryshe do të shkonte në ndonjë lokal të qetë ku nuk e sheh dhe nuk e besdis njeri. Mund të rrokëllente gota, të reflektonte e të ngushëllohej, siç bën çdo njeri kur kërkon që ta teprojë paksa, si pasojë e ngarkesës emocionale apo ankthit të jetës.
Ilir Meta, ka shkuar tek Rogneri, si tek një skenë e rëndësishme, për të bërë show-un e radhës, i cili më pas u tregua në media, për të qenë ashtu siç qe, një lëvizje në veshin e atyre që presin betejën e madhe brenda opozitës shqiptare.
Po përse janë acaruar Sali Berisha dhe Ilir Meta?
Sipas të gjitha gjasave, çorientimi i tyre po ndodh, ngaqë nuk po arrijnë të parashikojnë se kush janë realisht “këmbanat” që paralajmëroi ambasadorja Yuri Kim, kush do t’i tundë dhe kur?!
Deri tani, lëvizjet e Berishës dhe Ilir Metës kanë qenë të llogaritura në një farë mënyre, pasi ata ishin në dijeni të sanksioneve që do t’u vinin nga përtej oqeanit.
Që para zgjedhjeve u fol që Meta e Berisha do t’i merrnin Lulzim Bashës opozitën dhe ta përdornin, si një formacion politik agresiv, që të mbajnë lart tensionin në vend.
Në mënyrë që më pas të krijohen kushte për të negocuar me SHBA-në për veten e tyre. Siç kanë bërë deri tani, natyrisht duke përdorur Lulzim Bashën.
Por heqja e tryezës së përfaqësimit politik, i kthen si Berishën ashtu edhe Ilir Metën në subjekte. Në radhë të parë subjekte të ligjit jo vetëm shqiptar por edhe ndërkombëtar. Ngaqë të shpallesh ‘Non Grata’ në SHBA, nuk përfaqëson vetëm sanksionin e mos hyrjes në territorin amerikan, por do të marrësh efektet e sanksioneve në të gjithë hapësirën që ka influencë qeveria amerikane. Praktikisht në të gjithë botën.
Sali Berisha është më i painformuar se kurrë se ç’do të ndodhë me të para 11 dhjetorit kur ai ka paralajmëruar Kuvendin për të rrëzuar Bashën dhe për të marrë opozitën.
Cila është këmbana që do tundet më 10 apo 11 dhjetor? Do të jetë këmbanë e një “kapele” apo “katedraleje politike” siç është Uashingtoni zyrtar? Aq më shumë se titulli i këmbanave nuk ishte në shqip, por në anglisht, ndaj dhe drithërimat janë më të mëdha…/Pamfleti