SPAK ta hetojë, mbasi prej 3 vitesh është Zv/kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shtetit/ Lidhjet e tyre të pista i konfirmon dhe një dokument në Ministrinë e Financave, që provon se për vitet 2008-2013, Ridvan Bode i ka falur Rezart Taçit 16 milionë Euro çdo vit, nga pjesa e fitimit që i takonte shtetit si bashkëpronar me 14.6% aksione në “ARMO”, por edhe e ka lejuar që të mos paguajë 73 milionë Euro nga vlera 128 milionë Euro e blerjes së ARMO-s, duke ia justifikuar me gjoja rimbursim për investime e fonde sociale për shtim fuqie punëtore
Një ditë pas skandalit të 18.3 milionë Euro të mafies “Cosa Nostra”, që do pastroheshin me kalim bankar tranzit në Shqipëri nga “Alpha Bank”, sekseri i këtij transaksioni Rezart Taçi, deklaroi se deri në vitin 2015, ish-Ministri i Financave, Ridvan Bode, i kishte zhvatur me shantazh nga 20-30 milionë Euro çdo 2-3 muaj.
SPAK ka detyrim të hetojë Ridvan Boden, mbasi akuza është e rëndë edhe kur bëhet ndaj një krimineli që u vendos gjoba bizneseve, e jo më kur akuzohet një person 10 vite Ministër Financash në dy pushtetet e PD.
Ndoshta kjo akuzë është shpifje, që Rezart Taçit ia kanë sponsorizuar individë e qarqe, të cilët duan të hakmerren ndaj Ridvan Bodes, për prishje pazaresh të pista, që ka bërë gjatë pushtetit të piramidave dhe pushtetit të koncesioneve 2005-2013.
Por ai duhet hetuar, prej indicies se akuzën nuk po e bën ish-roja i Ministrisë së Financave, por Rezart Taçi, kontrabandisti që prej tij ka blerë ndërrmarrjen shtetërore “ARMO” me dy rafineri përpunimi hidrokaburesh në Ballsh e Fier.
Vërtetë që ankandi i ARMO në muajin shkurt 2008 u bë nga Sali Berisha dhe teknikisht nga Ministria e Ekonomi-Energjetikës, por Bode përllogariti e firmosi çmimin 128 milionë Euro, kur vetëm për vitin 2002-2007 ARMO kishte mesatarisht nga 152 milionë Euro të ardhura çdo vit.
Ridvan Bode, duhet hetuar, mbasi me Razart Taçin ka patur aq lidhje të forta interesash korruptive e kriminale ekonomiko-financiare, sa për vitet 2008-2013, nuk i kërkoi asnjë bilanc tatimor e doganor dhe i fshiu 198 milionë Euro detyrime fiskale.
Nuk mund të mohohen lidhjet e tyre në pisllëqe të shumta, nje prej të cilave është në dokumentet e Ministrisë së Financave, që provon se për vitet 2008-2013, Ridvan Bode i ka falur Rezart Taçit 16 milionë Euro çdo vit, nga fitimi që i takonte shtetit si ortak me 14.6% aksione në “ARMO”.
Ndërsa më 29 korrik 2013, pas miratimit nga Ministria e Ekomoni-Energjetikës, Bode i firmosi dhe shitjen e ARMO-s te mafia azere, duke mos i kërkuar bilance e borxhe që kishte ndaj shtetit.
Rëndësia dhe demosdoshmëria e këtij hetimi qëndron në faktin, se Ridvan Bode nuk është ish-ministër në veprimtari të lirë, por prej 3 vitesh është Zv/kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shtetit për kontrollin e bankave private.
Nuk ka asnjë pengesë ligjore të mos fillojë hetimi, mbasi brenda akuzës së gjobëvënies nga 20-30 milionë Euro çdo 2-3 muaj, janë një ish-ministër financash dhe një kontrabandist e “lavatriçe” miliardash të mafies italiane e asaj shqiptare.
Ka ende gjurmë në Ministrinë e Financave, që provojnë, se me urdhër të Ridvan Bodes si ish-ministër, Rezart Taçi nuk ka shlyer 73 milionë Euro, nga vlera 128 milionë Euro e blerjes së ARMO-s, duke ia justifikuar me gjoja rimbursim për investime e fonde shtim fuqie punëtore.
Por dhe fakti që Bode ishte inciatori i shitjes së “Albpetrol” te Rezart Taçi, por dështoi sepse Taçi i “Cosa Nostra”, kishte paraqitur kopje bankare azere e zvicerane false, sikur gjoja kishte 850 milionë Euro kapital në firmat e tij fantazma “Vetro Energy” e “YPO Oil and Energy” me adresë në Singapor, të cilat Ridvan Bode i prezantoi si gjoja kompani amerikane./Pamfleti