Nga Alpin Guri
Historia e vëllait të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj shfaqet sa herë PD ka një hall, ose s’ka çfarë thotë, s’ka argument.
Rasti i fundit ishte para dy ditësh ku si përpara 20 vitesh akuzoi ministrin për një çështje të stërkonsumuar.
Fatmir Xhafaj e ka sqaruar e stërsqaruar atë çështje sa herë i është ngarkuar një detyrë publike. Që kur ishte ministër Turizmi ne qeverinë “Nano” e me radhë si ministër Drejtësie, kryetar Komisioni Ligjesh, Kryetar i Komisionit të Reformës në Drejtësi e ministër i Brendshëm. Sot, pas 20 vitesh janë të njëjtat akuza, pa asnjë fakt të ri.
E gjithë lufta e PD-së sot në fakt nuk bëhet për vëllain e Xhafajt, pasi ndaj tij s’kanë asnjë provë të re.
As kundër ministrit Xhafaj i cili e ka sqaruar me kohë e me vaft atë çështje. E gjithë lufta e PD-së sot është kundër Shqipërisë dhe çeljes së negociatave me BE-në. Qëllimi i saj dukshëm është bllokimi i integrimit të vendit, duke përdorur një çështje të sqaruar prej 20 vjetësh.
Në kushtet e mospasjes guxim për të lobuar pro Shqipërisë, në kushtet e frikës ndaj drejtësisë, në kushtet e mospasjes së një vizioni e lidershipi real, PD po minon edhe njëherë rrugën e Shqipërisë drejt BE-së tani që jemi më pranë saj se kurrë më parë.