18 Qershor 2021, në aeroportin e Rinasit, zbresin dy shtetas italianë. Një i moshuar rreth të 90-ve që shoqërohej nga një 60-vjeçar. Të dy, dukeshin krejt normal por në Itali, plaku njihej si një prej eksponentëve të rëndësishëm të mafias më famëkeqe “Cosa Nostra”.
Ai, ishte Francesco Zummo, mjeshtri i pastrimit të parave. Siç zbulon prokuroria e Palermos ka menaxhuar që në vitet 70-të paratë e kryebashkiakut mafioz Vito Ciancimino dhe eksponentëve të tjerë të “Cosa Nostras” Leonardo Greco dhe Michelangelo Aielo.
“Rezulton e provuar që Francesco Zummo kishte menaxhuar me mençuri resurset e pafundme monetare të Cosa Nostras në vitet ’70 ‘80” Zummo, po vinte në Shqipëri, për të bërë atë që dinte të bënte mirë prej dekadash, pastrimin dhe qarkullimin e parave të bosëve të mëdhenj të mafias. Plaku, siç njihej në radhët e mafias konsiderohej njeriu kyç i operacioneve financiare edhe vitet e fundit.
“Ku po pensionohen mafiozet e vjetër të Sicilisë, një nga hipotezat e ngritura, janë 4-5 mijë familje që pensionohen në Shqipëri, vijnë nga Italia e jugut e thonë jemi pensionistë e këtu jetohet më mirë se në Itali për shkak të kostove. Ne nuk duhet t’i paragjykojmë, por disa duhen verifikuar”, u shpreh Ervin Karamuço, Profesor i Kriminologjisë.
Ka dyshime, se shuma prej 18.3 milionë eurosh të bllokuara në Tiranë nga SPAK janë pjesë e thesarit të lënë pas nga Toto Riina. Ai njihet si “capo dei capi”, bosi i bosëve të Cosa Nostras i cili ka ndërruar jetë disa vite më parë.
“Bernardo Provenzano pësoi të njëjtin fat si Toto Riina, por kush është pasardhësi i tyre, ai është Mesaina Denaro një ndër 10 më të kërkuarit në botë, ai kalonte pushimet në Greqi dhe dyshohet se mund të ketë qenë dhe në Shqiëpri” u shpreh Ervon Karamuço, Profesor i Kriminologjisë.
Shoqëruesi i Zummo-s, Fabio Petruzzela, ishte financieri që kujdesej për të bërë gjithçka gati përmes lidhjeve të tij në Tiranë.
“Shoqëron personalisht Francesco Zummo në Tiranë dhe në datë 18 qershor e asiston për hapjen e një llogarie në Alpha Bank”
“Po paratë e Cosa Mostras ku janë? 80 % të sekuestruara nga Italia. Po 20% ku janë? Ku përfshihet pjesa e Toto Riinas sidomos, që i përkiste kupolës së madhe, janë cash dhe sigurisht duan të humbasi gjurmët, zgjidhja ka qenë të dalin jashtë Italisë dhe duhet të gjejnë folenë në sisteme të dobëta bankare, ku sistemet janë të dobëta” u shpreh Ervin Karamuço, Profesor i Kriminologjisë./ top story