Ervin Salianji dhe Erion Braçe për pak sa nuk u përplasën fizikisht seancën plenare të 16 nëntorit pasi deputeti i PD e pyeti Braçen nga foltorja nëse është zv/kryeministri i përmendur në përgjimet e prokurorisë italiane për dosjen “Taçi.”
Gazetari Artan Hoxha u shpreh se në faqen 40-41 të dosjes tregohet një bisedë e bërë më 18 tetor mes financierit të Francesco Zummo-s dhe bashkëjetueses së tij. Petruzzella i thotë: “Plaku ka folur me Rezartin dhe ai i ka thënë që do ta zgjidhë këtë histori..”
Hoxha shpjegon se sasia e parave ka mbërritur në Shqipëri më 28 korrik, megjithatë ai shton se nuk ka parë në dosje elementë që të tregojnë përfshirje të zyrtarëve shqiptarë.
“Nëse ka garanci, për të bërë këtë operacion, është bërë para se të vinin paratë. Nuk kam parë në dosje elementë të përfshirë të zyrtarëve tanë. Besoj se për shkak të faktit që paratë janë të bllokuara, siçilianët janë vënë në alarm. Dhe Taçi u ka thënë që do kontaktojë me zv/kryeministrin dhe ministrin e financave.”
Gazetari u shpreh se nuk beson se ndokush do ta merrte përsipër të ndërhynte pasi do të linte gjurmë. Artan Hoxha u shpreh se nëse SPAK do të gjejë elementë të përfshirjes së zyrtarëve, kjo “do ta vuloste të gjithë situatën.”