Kryeministri Edi Rama ka dalë në një konferencë të jashtëzakonshme nga aeroporti i Rinasit për ngjarjen tronditëse që ndodhi dje në Fier, ku një vogëlush 8-vjeçar u vra në mënyrë monstruoze nga një 38-vjeçar.
“E pangushëllueshme për prindërit, familjen e të afërmit dhimbja e humbjes tragjike të vogëlushit Mateo, nga Grecallia e Fierit, e cila tronditi mbarë shoqërinë pasditen e djeshme.
Reagimi i menjëhershëm dhe shpejtësia e kapjes së autorit nga Policia e Shtetit, duhet medoemos të pasohen nga ndëshkimi më ekstrem i drejtësisë për autorin e barbarisë tronditëse.
Asgjë nuk e shlyen humbjen dhe lehtëson peshën e kësaj barbarie mbi zemrën e mendjen e nënës, babait e familjarëve të vogëlushit, por duke u shprehur atyre ngushëllimet më vëllazërore, presim me padurim verdiktin e merituar të drejtësisë.
*Konferencë për shtyp përpara vizitës zyrtare në Romë, ku tema e njohjes së pensioneve të bashkëqytetarëve tanë në Itali, do të jetë në qendër të bisedimeve për thellimin e bashkëpunimit dypalësh mes Shqipërisë dhe Italisë, me kryeministrin Mario Draghi”, shkruan Rama.