Dosja hetimore për pastrimin e parave nga Cozanostra ka tronditur dje politikën shqiptare. Në dosjen e publikuar përmendet i përfshirë zëvendëskryeministri shqiptar.
Dje kanë dalë përgjimet e grupit kriminal dhe anëtarët e mafies thonë se Rezart Taçi ka rregulluar me kryeministrin që 18 milionë eurot që ata do të transferonin në Tiranë nuk do prekeshin, ndërkohë më pas prokuroria italiane sqaron se bëhej fjalë për zv/kryeministrin. Aty tregohet se si është përfshirë dhe Drejtori i Pastrimit të Parave.
“Ndërhyrja e R. Taçit për llogari të kryeministrit në qeverinë shqiptare i referohet zv/kryeministrit, nga i cili Drejtori Kundër Pastrimit të Parave kërkoi rikonfirmimin për pagesë së tij, në këmbim të lirimit të fondeve të ZUMMO. Për më tepër, zëvendëskryeministri kishte qenë i gatshëm të përmbushte kërkesat e drejtorit të Pastrimit të Parave pas lirimit të fondeve”, thuhet në dosje.
Me tej ai ka deklaruar se ka folur me Drejtorin e Pastrimit të Parave dhe është mbyllur ai muhabet. Për shumën që do të kalonte nga Zvicra në Shqipëri dhe më pas në Singapor ose Hong Kong, Taçi do të merrte pjesën e tij mbi 3 milionë euro si “komision” për ndihmën.
“Sapo transferta nga banka zvicerane të mbërrinte në Shqipëri, nëpërmjet Petruzzella-s, do t’i duhej ta transferonte në një kompani në Singapor ose Hong Kong”, thuhet në dosje. Palët kishin edhe një tjetër plan.
“Të dy ideuan mundësinë e përdorimit të një kompanie nafte të Taçit për të maskuar transferimin e parave në Singapor me një transaksion për blerje nafte. Diçka që Cestagalli ia komunikoi menjëherë Petruzzellës, i cili u duk i gatshëm të ndiqte indikacionet që vinin nga brokeri zviceran dhe partneri i tij shqiptar”, evidentohet në dosje. Në përgjime palët dalin duke biseduar edhe për faktin që të mos i tërheqin të gjitha paratë, por të linin një pjesë që të mos binin në sy.
“Ajo që bashkëpunëtorët ende nuk kishin menduar ishte nëse do të linin ose jo një shumë të vogël parash në llogari për të mos krijuar dyshime”, thuhet aty. Por në momentin që transferimi ngeci italiani komunikon disa herë me Rezart Taçin dhe Francesco Zummon i shqetësuar. “Ju betohem për fëmijët e mi.
Gjithçka është bërë, pse nuk transferohen ato? Dreq” është kapur nga përgjimet Petruzzella. “Rezart (Taçi) është shumë i inatosur”, shprehet më tej në një tjetër bisedë të regjistruar Fabio Petruzella. “Shqipëria është vendi i gjërave më absurde në botë”, thotë më tej e shqetësuar Marina Tizzi, pjesë e bizneseve të grupit italian.