Prokuroria e Krimeve të Renda i ka dërguar një kërkesë Ministrisë së Drejtësisë që kjo e fundit të vihet në lëvizje për nisjen e procedurave për të kërkuar ekstradimin e Arbër Çekajt, i cili akuzohet për trafik droge. Administrator i firmës ‘Arbi Gardën’, kishte porositur ngarkesën me banane, ku u kapën 613 kg kokainë që vinte nga Kolumbia.
Në kërkesën e saj Krimet e Rënda i kanë dërguar bashkangjitur masës së sigurisë për Çekajn edhe materiale të tjera. Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë bëri me dije se dosja po bëhet gati dhe do niset në Gjermani.
Kujtomë se Çekaj u arrestua një javë më parë në një provincë pranë Dysedorfit në Gjermani, në sajë të bashkëpunimit mes policisë gjermane dhe asaj shqiptare. Çekaj do të ekstradohet në Shqipëri, ndërsa do të përballet me akuzat që rëndojnë për trafik droge, ndërkohë që gjykata ka caktuar ndaj tij masën ‘arrest me burg’ në mungesë.
Kokaina ishte fshehur në kontenier me dysheme të dyfishtë, të ngarkuar me banane. Operacioni nisi gjatë mbrëmjes së datës 27 shkurt 2018, në Portin Detar të Durrësit, në momentin që ngarkesa e ligjshme me banane, u mor në dorëzim nga firma porositëse “Arbri Garden” shpk, me pronar Arbër Çekajn. Sasia e lëndës narkotike ishte e paketuar në 528 pako, të mbështjella me letër natriban me kode të vendosura nga trafikantët.
Kujtojmë se një ditë pas operacionit ku u kap sasia rekord e kokainës, në një intervistë ekskluzive për ‘News24’ nga Gjermania, Arbër Çekaj mohoi kategorikisht akuzat se kishte lidhje me drogën. Ndërkohë, numri i të arrestuarve në lidhje me këtë operacion shkon në tre, pasi para 2 muajsh u arrestuan Donaldo Lushaj, nga Tropoja dhe Armando Pezaku nga Durrësi, të dy 25 vjeç.