Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Edi Paloka ka deklaruar se shpallja “non grata” e Sali Berishës nga SHBA ishte një goditje politike kundër Partisë Demokratike për të mbështetur Edi Ramën.
Ai u shpreh se ia ka thënë edhe Lulzim Bashës se ky vendim i SHBA ishte edhe ndaj tij si kryetar i PD-së, teksa shtoi se përjashtimi i Berishës nga Grupi Parlamentar ishte një vendim i gabuar nga kryedemokrati.
Sipas Palokës, një nga të këqijat e Bashës është se kryedemokrati të dëgjon, e miraton atë që thua dhe më pas nuk e bën.
“Ka marrë vendimin më të gabuar në mënyrën më të gabuar. Ia thashë që në momentin e parë që mori vendimin. Me Bashën kam qenë më afër se me Berishën. Mua kur nuk më pëlqente diçka ia thoja drejtpërdrejt në zyrë.
Një nga të këqijat e Bashës është që të dëgjon, ta miraton atë që thua dhe pastaj nuk e bën. Ky është problem. Nuk e kam pritur fare vendimin për Berishën. I kam thënë se çështja e Berishës nuk është e tij, është kundër teje si kryetar partise dhe kundër nesh si parti.
Kjo ka qenë dhe mbetet goditje politike, për të mbështetur Edi Ramën. Para 30 vitesh ishim naivë dhe nuk e dinim si funksiononin gjërat, tani e dimë. Është goditur Berisha që të bëhej kjo situatë në PD, ia kam thënë edhe Bashës ditën kur ambasadorja Yuri Kim bëri deklaratën para selisë së PD duke kërkuar largimin e Berishës.
I thashë “kjo është kundër teje, edhe sikur vetëm ta diskutojmë përjashtimin e Berishës, neve na ikin gjysma e demokratëve”. Unë vetë po të isha, nuk e largoja Berishën”, tha Paloka në “Kjo Javë”.