Rikthehet në Parlament Spartak Braho. Ditën e sotme Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka kaluar mandatin Brahos, nga i cili hoqi dorë Saimir Tahiri. Mësohet se Braho mori 7 vota pro.
Tre ditë më parë u firmos procedura nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit për të zëvendësuar Saimir Tahirin, me pasuesin në listë, Spartak Brahon, ndërsa kërkesa shkoi në KQZ.
Braho ishte i 19-ti në listën e PS-së për Tiranën por ai kishte marrë një post tjetër si këshilltar, gjë që nuk e pengoi të pranonte mandatin.
Kodi Zgjedhor, neni 164 thekson se: “Në rastin se deputeti deklaron në mënyrë publike përpara komisionit përkatës të Kuvendit refuzimin, për të bërë betimin ose heqjen dorë nga mandati. Në këtë rast, Kuvendi, jo më vonë se 30 ditë, njofton KQZ-në për krijimin e vakancës. Mandati i ndërprerë i deputetit ose i anëtarit të Këshillit të Bashkisë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike, në zonën zgjedhore përkatëse”.
Kujtojmë se Saimir Tahiri dorëzoi mandatin e deputetit pas hetimeve ndaj tij të nisura nga prokuroria me dyshimet si i përfshirë në trafik droge me bandën “Habilaj”.