Komisioni Hetimor për inceneratorët miratoi listën e kërkesave për informacion. Partia Demokratike kërkon të dhëna mbi kontaktet e përfituesve të kontratave koncesionare me zyrtarët e lartë shtetëror.
12 kërkesa për informacion ka përgatitur Partia Demokratike në Komisionin Hetimor për inceneratorët. Mbledhja e radhës e komisionit kishte si fokus paraqitjen e kërkesave për marrjen e provave ku demokratët kërkojnë të hedhin dritë mbi dyshimet e tyre se këto janë kontrata korruptive.
“Unë do t’i dërgoj një kërkesë drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për një informacion të plotë të sistemit TIMS, hyrje daljeve, udhëtimeve të përbashkëta të shtetasve Klodian Zoto, Mirel Mërtiri, Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuridhe Erion Veliaj”, tha Jorida Tabaku.
Socialistët nga ana e tyre kërkuan që hetimi parlamentar të orientohej nga ligji e jo nga interesat partiake. “Kjo çfarë po bëjmë është një akt politik dhe duhet të paraprihet nga moraliteti, nga fillimi në fund, nga arsyeja dhe jo nga të hedhur baltë në mënyrë të qëllimshme dhe të kushtëzohet nga ligji, dhe jo nga nevojat që ka partia”, tha Ermonela Felaj.
Për dy orë mbledhja u shoqërua me debate e akuza për vjedhje parash. “Janë bërë 121 transaksione me vlerë 33 milionë e 744 mijë euro për një incenerator që në Tiranë nuk ekziston”, akuzoi Belind Këlliçi.
“Zoti Këlliçi kot që rri këtu në komision, e bëri pretencën e vet, i bëri hajdut, mega aferë. Po të ishte për të ndërhyrë do të të ndërhyja dhe mos mendo se ke tonin e zërit më të trashë se timin. Të thashë edhe herën e parë, ku flasë unë mos më ndërhy”, iu përgjigj Arben Pëllumbi.
Pas dy orësh diskutimesh e debatesh, palët gjetën dakordësinë për të listën e provave që do të kërkojnë nga institucionet shtetërore.