Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis pati një përplasje të ashpër të martën me një gazetare holandeze në një konferencë në lidhje me politikat e qeverisë greke ndaj emigrantëve.
Gazetarja e akuzoi kryeministrin grek për “abuzim narcist” gjatë konferencës së tij me kolegun holandez në Athinë. “Kryeministër Mitsotakis, kur, më në fund, do të ndalesh së gënjyeri? Duke gënjyer rreth kthimit (të emgirantëve), duke gënjyer për atë po ndodh me refugjatët në Greqi?”, iu drejtua gazetarja Ingeborg Beugel, kryeministrit grek.
Ajo po u referohej pretendimeve të grupeve për të drejtat e njeriut dhe organizatat si UNHCR-ja e OKB-së se Greqia në mënyrë të paligjshme po i kthen azilkërkuesit në Turqi në kufijtë e saj tokësorë e detar, ndonëse Greqia e ka mohuar këtë, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
“Ka pasur dëshmi dërrmuese e ju vazhdoni të mohoni e të gënjeni. Ky është abuzim narcist. Pse nuk je i sinqertë? Pse nuk thua: “Bruksel, na lini vetëm, kemi pritur gjashtë vjet, askush nuk bëri asgjë. Tani e kam fjalën dhe po, unë bëj kthime mizore, barbare (të emigrantëve)”, shtoi gazetarja.
Kryeministri grek e mbrojti politikën e qeverisë së tij, duke e quajtur të ashpër por të drejtë dhe tha se Greqia ka shpëtuar qindra njerëz nga viti 2015, kur ka qenë në frontin e krizës së emigrantëve në Evropë.
“Kuptoj që në Holandë, ju keni një kulturë të shtrimit të pyetjeve të drejtpërdrejta ndaj politikanëve, që unë e respektoj shumë. Ajo që nuk do ta pranoj është që në këtë zyrë ju të më fyeni mua ose popullin grek me akuza e shprehje që nuk janë të mbështetura në fakte materiale”, u përgjigj ai.
Mitsotakis tha se autoritetet po i pengojnë barkat në det në përputhje me rregulloret e BE-së dhe se u kanë dhënë azil 50.000 personave, përfshirë “dhjetëra mijëra afganë”. Gazetarja e ndërpreu duke thënë se kushtet janë të tmerrshme.
Qartazi i irrituar, kryeministri grek ia ktheu: “Shiko, ti nuk do të vish në këtë ndërtesë e të më fyesh mua. A jam shumë i qartë për këtë?” “Kjo është politika jonë, do të qëndrojmë prapa saj dhe unë nuk do ta pranoj askënd që e drejton gishtin nga kjo qeveri dhe që e akuzon për sjellje çnjerëzore”, shtoi ai.