Nga Frrok Çupi
Dje ishim në Pogradec; ata që do të mblidheshin në sallën ‘Lasgush Poradeci’ nuk u dukën deri në minutën e fundit kur erdhën makina nga Tirana dhe nga Korça.
‘Lasgushi’ kishte mbetur i vetëm gjatë gjithë ditës. Vetëm disa fëmijë dhe disa të rrjedhur nga mendtë po prisnin orën pesë pasdite, njësoj si dikur kur në qytetin e vetmuar vinte çadra e Cirkut. Do të mbahet ‘foltorja’ e ish presidentit të harruar, Sali Berisha, foltorja do të gjëmonte kundër dy armiqve, njëri shumë i vogël dhe tjetri shumë i madh: Basha dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
E gjitha duket si një ‘puzzle’. Në fjalë- kryq kërkohen disa enigma: Kush do të fshihet në sallën e Lasgushit?; cili deputet nuk ka ardhur edhe pse nga larg ka dëshmuar zell për ‘foltoren’?; çfarë janë këta që rrethojnë Berishën herë me shishe rakie e herë me kallashnikov?; çfarë i ka lidhur pas Berishës ish- zyrtarët e tij….
Dhe më në fund, Lasgushi, vallë pse nuk shfaqet me emrin e tij të vërtetë?…
Sa herë shikoj njerëz të çartur folklorikë të ‘foltores’, më shfaqet një fshat i largët në Mal të Zi. Fshati Savnik është dëshmitari i fshehjes së një njeriu të kërkuar pas luftës në Bosnjë. Edhe këta të foltores i mbështillen Berishës rreth një tavoline blu dhe duket se e fshehin ‘burrin e madh’. Këtu te ne e fshehin në mjegullën e epsheve, të rakisë, të vrullit dhe të tymit të barutit. Në fshatin Savnik, gati njësoj, mbanin një ‘burrë të madh’ të mjekësisë dhe politikës serbe, Radovan Karaxhiç.
Karaxhiç, pasi kreu krimet e patregueshme me 8000 myslimanë të vrarë në Srebrenicë, doli në natyrë për të gjetur strehë ku të mos e kapnin dot. Shumë investigatorë të Evropës menduan se mund të ishte fshehur në fshatin e lindjes, në Savnik; dhe kjo nuk ishte e gabuar. Gazetarja e BBC që shkoi në fshat për një dokumentar, u end disa ditë nëpër peizazhin e mrekullueshëm me shkëmbinj të bardhë dhe me pishë të shëndetshme. Në çdo familje ku hynte gjente bujari, një gotë raki te oxhaku dhe menjëherë një këngë me sharki. Gjithnjë kënga niste me vargun: ‘Në fshatin tonë nuk ka tradhtar!’.
A ka tradhtarë në ‘foltoret’ e Berishës?
Sigurisht, jo në të gjithë elementët e tregimit mund të bëhen paralele; por të paktën disa prej tyre janë të ngjashëm, si me dokumentarin e BBC.
Prej kohësh, mes atyre që mbushin foltoren e Berishës, ka nisur një revoltë e egër kundër bullizmit. Dikush, një herë, paska thënë në media se atje janë mbledhur ‘disa budallenj’, ose ‘llumi’. E gjithë revolta ‘popullore’ foltorase është mbledhur në këtë pikë; ndërsa revolta e liderit i drejtohet tjetërkujt: Sa Shteteve të Bashkuara, aq edhe ‘të pabesëve’ në PD. Këtu është vija ndarëse: ‘Populli’ i foltores as e ka idenë se cili është George Soros e çfarë bën ai, por ka hallin që të mos i quajnë ‘budallenj’; ndërsa vetë lideri i foltores nuk ka hallin e askujt- veçse hallin e vet.
Kjo është njëra arsye pse fshati i foltores këndon vargjet ‘fshati nuk ka budallenj’.
Arsye të tjera pse secili aty kërkon që të mos jetë ai që është:
Këtu në foltore po mblidhen ‘shokët e ngushtë’ të Berishës. Këta janë ministra të tij, zëvendësministra, drejtorë…, të gjithë ata që po të mos shkojnë në ‘foltore’ kanë frikë se do të kallëzohen nga brenda për korrupsion. Shumica e tyre nuk vijnë në ‘fshat’ veçse bëjnë isharete nga larg: Në momentin kur ‘çadra e cirkut’ do të shkrehet, këta bëjnë sikur nuk kanë qenë në foltore. Basha është shpallur ‘besë- prerë’ në fshat.
Në foltore po mblidhen ‘tezakët’ e Berishës, ata që dinë më shumë se ministrat dhe padronët e tyre. Berisha e kishte ndërtuar pushtetin valë- valë: Të pa votuarit kishin më shumë pushtet se të votuarit…, e me radhë. Nisur që nga fëmijët e tij, që kishin gjithë pushtetin e vendit, por pa votë. Pastaj ata që u morën me Al- Qaeda-n, Milloshevicin, Arkanin, Bin Laden-n, me Konferencën Islamike… Disa prej tyre edhe kanë vdekur të helmuar… Një pyetje e thjeshtë: Nuk po sulmohet Basha pse ka takuar Gaddafin e Libisë, pak para se ai të vritej nga amerikanët? Pse vallë…
Në ‘foltore’ ka edhe shumë ‘shula’ që mbushin radhët; këta janë të përjetshëm dhe për këta nuk ka këngë, sepse janë të dukshëm.
Të pa- dukshëm janë gjithë elementët e tjerë: Nga vijnë këta të sallës?, ku do t’i çojë foltorja?, a do të mbrohet dot Berisha me maskën e foltores që ia kanë quajtur ‘bunker’, sa kohë ka për ‘cirkun’ në natyrë?
… Vetë salla e Pogradecit me emrin ‘Lasgush Poradeci’ më krijoji një assosacion me atë që fshihet pas një gjëje të caktuar: Emri i vërtetë i Lasgushit nuk është Lasgush, por është Llazar Sotir Gusho- tjetër nga çfarë e njohin militantët e foltores…
Kur të ketë ikur Berisha, me siguri do të fajësojnë edhe Lasgushin