Presidenti Ilir Meta duket se është shpallur i “padëshiruar” nga amerikanët. Teksa ish-kryeministri Berisha u shpall i tillë me vendim nga Departamenti i Shtetit, presidenti po shmanget nga të gjithë funksionarët amerikanë.
Zgjedhjet e 25 prillit krijuan një kurë të fortë përplasje mes tij dhe ambasadores amerikane dhe kjo duket se ka sjellë pasoja, pasi ai që në fillim të këtij viti nuk është takuar me asnjë zyrtar amerikan. Ai dje priti në një takim Richard Grennell, i cili nuk ka më asnjë funksion, por ata që përfaqësojnë SHBA nuk i shkuan në zyrë. Bëhet fjalë për një delegacion senatorësh dhe kongresmenësh, të cilët erdhën në Tiranë ditën e hënë.
Ata zhvilluan takime me kryeministrin, kreun e opozitës, kreun e Bashkisë së Tiranës, një grup afganësh në vendin tonë dhe me përfaqësues të shoqërisë civile, por në asnjë moment nuk pati takim me presidentin Ilir Meta. Kongresmenët janë pjesë e Komitetit të Sigurisë dhe Meta është kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, pra duhej të ishte personi i parë që i priste.
Gazeta po sjell një shembull të disa vizitave të ngjashme. Në 2019 erdhi një delegacion i Kongresit Amerikan dhe Këshillit të Atlantikut, i cili po ashtu kishte të bënte me sigurinë. Ata u pritën në një takim nga vetë Meta. Në 2017 e njëjta gjë. Në atë kohë Meta sapo ishte zgjedhur president dhe priti një delegacion të ngjashëm me kongresmenë e senatorë. Por delegacioni i dy ditëve më parë refuzoi të shkonte në Presidencë.
Sipas burimeve, Meta ka qenë në Tiranë i sapokthyer nga Italia, por nuk pati asnjë takim me ta, duke shtuar dyshimet se presidenti nuk është i preferuar nga amerikanët.
Sinjalet ndaj Metës
Gjatë vitit 2020 presidenti dha sinjale përplasje me amerikanët edhe pse nuk pati asgjë në publik. Meta sulmoi reformën në drejtësi disa herë dhe akuzonte ambasadorët për puç. Madje ironizoi në shumë raste dhe “Rrugën e Elbasanit”, duke nënkuptuar ambasadën e SHBA.
Mirëpo ambasadorja nuk reagoi. Por duket se kupa u mbush para zgjedhjeve të 25 prillit. Më 23 prill, 2 ditë para zgjedhjeve, presidentit doli në një intervistë televizive dhe ripërsërit kërkesën që qytetarët të merrnin kazma, kosa e sëpata për tu prerë duart atyre që vidhnin vota. Yuri Kim përmes një SMS në celular dhe një mesazhi në Twitter e paralajmëroi se do kishte pasoja nëse nuk tërhiqej nga të tilla deklarata.
Ky ishte sinjali i parë se raportet e Metës me SHBA ishin të tensionuara. Edhe pse pas zgjedhjeve presidenti ndryshoi kurs, duket se për amerikanët ai është një president i shkarkuar. Në verë erdhi në Tiranë Ndihmës Sekretari i Shtetit, Philip Reeker, personi i cili vulosi dhe përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar. Ai u takua me kryeministrin, kreun e opozitës dhe një sërë personalitetesh, por jo me Metën. Presidenti u injorua totalisht. Një tjetër goditje ndaj tij ishte gjatë stërvitjes së “Defender 21”.
Meta nuk u lejua të hipte në të njëjtën anije me ambasadoren, kryeministrin dhe gjeneralët amerikanë. Ai u detyra të braktiste ceremoninë duke mos marrë pjesë në patrullim. Ndërkohë që ditët e fundit është bojkotuar dhe nga kongresmenët dhe senatorët.
Akoma më i rëndë është fakti se 2 kongresmenë dhe senatorja janë republikanë. Meta dhe Berisha kanë varur shpresat te rikthimi i tyre në pushtet, por sinjalet janë se vetë SHBA është distancuar prej tyre. Pas këtyre lëvizjeve shtrohet pyetja: A rrezikon Meta të jetë personi i radhës që do shpallet “non grata” pas Berishës? Sinjalet janë se për SHBA ai është i padëshiruar dhe faktet e mësipërme e tregojnë qartë. /SOT