Ashtu siç e kishte paralajmëruar,Sali Berisha është ndalur dje në një takim me simpatizantët demokratë në qytetin e Pogradecit. Qysh në fillim të fjalës së tij, ish-kryeministri Berisha u shpreh i entuziazmuar për praninë e demokratëve në “Foltoren” e tij, ndërsa zbuloi se ditën e mërkurë do të dorëzojë firmat për thirrjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike pranë selisë blu në Tiranë.
Sipas tij, firmat për thirrjen e Kuvendit jo vetëm që janë mbledhur, por numri ka shkuar në plot 4 mijë e 200. “Për peng-kryetarin kam një lajm shumë të hidhur. Nesër dorëzohen 4200 firma të Kuvendit Kombëtar.
I them kryetarit pa parti: përkulu përpara firmave të anëtarëve të PD sepse 4200 kanë firmosur dhe në atë Kuvend do vijnë 10 mijë të tjerë. Do jetë festa më e madhe në historinë e PD-së. Do jetë triumfi i saj, rikthimi i saj i plotë dhe i sigurt në fitoren vendimtare ndaj narko-shtetit”, deklaroi ai.
Berisha kërcënon Ramën dhe Bashën
Më tej ish-kryeministri Sali Berisha ka kërcënuar edhe dyshen Rama-Basha, që sipas tij, janë investuar për ta shpallur atë “non grata”. Sipas tij, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha bashkëpunonte me kryeministrin Edi Rama për projektin e miliarderit amerikan George Soros.
“Lulzim Basha ishte njëri nga ata të cilët punonte së bashku me Edi Ramën në projektin e George Soros, unë këtë e kisha marrë vesh.
Por kjo nuk më pengonte mua aspak që të bëja gjithçka për fitoren e Partisë Demokratike”, u shpreh ai. Ndërkohë nga “Foltorja” e Pogradecit, Sali Berisha deklaroi se duhej të ishte rikthyer që në vitin 2017, pas humbjes poshtëruese. Ai tha se Lulzim Basha nuk e meritoi kurrë drejtimin e PD-së. “Foltorja është shndërruar në një burim shprese dhe kjo është merita juaj.
Është një gabim i madh i jetës sime që në vitin 2017 kur i kërkova të japë dorëheqjen për humbjen poshtëruese, unë duhet të dilja në garë dhe të shpëtoja PD-në nga një njeri që nuk e meritoi kurrë drejtimin e saj” tha ai.
Ish-kreu i PD sulmon ambasadoren Kim
Por gjatë “Foltores” së mbajtur në Pogradec, ish-kryeministri Sali Berisha rrëfeu bisedën me kreun e PD Lulzim Basha disa ditë para vendimit për pezullimin e tij nga grupi parlamentar demokrat. Berisha deklaroi se i tha kreut të PD-së që t’i thoshte ambasadores Yuri Kim se nuk pyet Sali Berisha për kërcënime.
“Tek sovraniteti, më vjen më thotë, si t’ia bëjmë se ambasadorja e SHBA kërcënon, i thashë e di si është puna Lulzim, i thuaj mos u bëj qesharake me kërcënime, nuk pyet Berisha për kërcënime. I them që mandatin s’ma heq askush, për sa kohë që ky vend të jetë i lirë dhe jo koloni. S’mund të më diktojë ajo se kush do hyjë në Parlament dhe kush nuk do hyjë përveç zgjedhësve të këtij vendi”, theksoi ai.
Berisha shton sulmet ndaj drejtësisë
Megjithatë, ish-kryeministri Sali Berisha nuk la pa sulmuar as institucionet e drejtësisë, e veçanërisht ndaj anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Sipas tij, kryeministri Rama kontrollon të gjitha pushtetet më keq se në komunizëm falë mbështetjes së Sorosit.
“Falë famozit Soros Rama kontrollon sot të gjitha pushtetet në Shqipëri Soros i dha atij në fund edhe drejtësinë. Sot drejtësia kontrollohet si kurrë më parë. Gjykata e Lartë çliroi sot nga akuzat ministrin skafo-trafikant. Gjykatësit Sadushi, Pupe dhe Panda zëvendësuan trupën gjykuese që po gjykonte narko-ministrin. Ata janë peng”, nënvizoi Berisha. /Rigels Seliman