Pezullohet kontrata e koncesionit të dy hidrocentraleve në lumin Valbonë në pronësi të kompanive ‘Gener 2’ dhe ‘Dragobia Energy.’
Nga Bashkim Shala
Të martën në mesditë, përmbaruesja gjyqësore Satbere Shahu ka pezulluar kontratën e koncesionit për ndërtimin e dy hidrocentraleve në lumin Valbonë.
Pezullimi i punës në dy hidrocentralet vjen pas një beteje disa vjeçare nga banorët e zonës së Valbonës, të cilët korrën një fitore të vonuar kur Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vendosi si masë sigurie pezullimin e kontratës së koncesionit për HEC Dragobia dhe Çeremi.
Vendimi u mor 5 vjet pas dorëzimit të padisë nga një grup banorësh nga Valbona dhe shoqata “Toka”.
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë njoftoi me 21 korrik se kishte prishur vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit dhe kishte vendosur sigurimin e padisë për pezullimin e kontratës së koncesionit për ndërtimin e dy hidrocentraleve.
Vendimi i gjyqtarëve Sokol Sadushi, relatorit Ilir Panda dhe Sokol Binaj thotë se pezullohej kontrata e koncesionit, shtesat që i ishin bërë asaj dhe lejet e përmendura në padi. Pezullimi sipas vendimit të shkurtuar do të zgjasë “deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes me vendim të formës së prerë”.
Ekzekutimin e këtij vendimi e kanë mbështetur forcat e policisë së Tropojës dhe ato të policisë bashkiake.
“Shërbimet e policisë në Tropojë kanë hartuar një plan masash për zbatimin e këtij vendimi dhe ekzekutimi I vendimit ka përfunduar pa asnjë incident”, ka bërë të ditur për “BIRN” zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë Vendore të Kukësit, Diana Deda.
Zbatimi i vendimit të Gjykatës së Lartë është konfirmuar edhe nga nënkryetari i bashkisë Tropojë Kujtim Rexha.
“Policia bashkiake dhe IMT-ja e bashkisë së Tropojës kanë qene të pranishëm për të ndihmuar në ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Lartë, i cili është kryer pa asnjë problem,” tha Rexha.
Nderkohë, aktivisti mjedisor nga Dragobia, Sami Demiri i tha BIRN se është nderprerë edhe prodhimi i energjisë elektrike nga këto dy hidrocentrale.
“Që nga data 4 nëntor në HEC-et e Dragobisë nuk është prodhuar energji,ku kanali ushqyes është devijuar në lumin e Valbonës,” theksoi ai.