Debate të forta janë shënuar mes Roland Bejkos dhe Indrit Hoxhës sa i përket përçarjeve në PD.
Bejko duke u shprehur hapur se nuk do të marrë pjesë në Kuvendin e 11 dhjetorit të thirrur nga PD-ja, deklaroi se nëse Berisha si person non-grata zgjidhet kryetar do të ngrijë marrëdhëniet me partinë që e ka themeluar.
Por përplasja më e madhe ka qenë në lidhje me Gazment Bardhin, ku Hoxha e cilësoi si një njeri i zgjedhur në kundërshtim me statutin me një ish-ministër të Ramës.
“Basha ka caktuar një ish-ministër të Ramës në krye si sekretar i Përgjithshëm i PD-së, që u zgjodh në kundërshtim me statutin, sepse duhej votim i fshehtë”, tha Hoxha.
Por menjëherë ka ndërhyrë Bejko, i cili iu drejtua: “Çfarë flet, çlidhje ka kjo, je i pirë? Ai ishte ministër si pjesë e marrëveshjes politike. Kërkojini llogari Berishës se pse futi në listat e PD-së ish-deputetët socialistë”.
Përplasja me Bardhin ka qenë edhe sa i përket vendimeve të marra nga Basha. “Kryetari i PD-së i merr vendimet natën, në errësirë”, tha Hoxha.
Por me dozën e humorit Bejko ia ndërpreu se “edhe nata ka romantizmin e saj dhe aty merren vendimet e rëndësishme”. “Po i merr vendimet se e kalon natën me Gaz Bardhin”, replikoi Hoxha, ndërsa Bejko u shpreh se “se të ketë kujdes për mënyrën se si flet”.