Zogu i Vogël:
Ymer Pashë Zogu pas vdekjes la si trashëgimtar djalin e tij Zogun e Vogël, i cili në momentin që i vdiq babai ndodhej në luginat e Rrogozhinës dhe në Peqin, duke luftuar kundër pushtuesve osmanë.
Menjëherë Zogu i Vogël u kthye në Mat dhe pasi mori në duar gjithë pushtetin e trashëguar, në përmbushje të detyrës dhe amaneteve të babait, iu përkushtua përmirësimit të gjendjes dhe zgjidhjes së problemeve emergjente.
Pasi vuri rregullin në administratën e vendit dhe në sektorët ushtarakë, angazhoi në krye të njësive të luftimit edhe dy djemtë e tij: Abdullah dhe Selman Zogu, të cilët ishin regjur ndër luftëra dhe ruanin marrëdhënie shumë të mira me fiset, parinë dhe luftëtarët. Paskëtaj Zogu i Vogël u kthye sërish në Rrogozhinë për të vendosur rendin dhe regjimin administrativ.
Pasi emëroi si komandant të trupave djalin e Karl Muzhak Topisë, Zogu i Vogël vendosi të rikthehej në Mat, me synimin e mbajtjes nën kontroll të kryqendrës administrative, çka për të ishte prioritet i vazhdueshëm. Por pikërisht kur po bëhej gati të nisej për në Mat, lajmërohet se trupat e reja otomane ishin nisur dhe po marshonin nëpër grykën e Shkumbinit, në drejtim të Peqinit.
Ky lajm e detyroi Zogun e Vogël të ndalet dhe të riorganizojë trupat ushtarake dhe administratën. Pas katër ditësh dy ushtritë u ndeshën në lartësinë e Peqinit, ku luftimet u zhvilluan shumë të përgjakshme nga të dyja palët. Në këtë betejë, pas dymbëdhjetë ditë luftimesh të ashpra, Zogu i Vogël mbeti i vrarë në luftë për liri në vitin 1614. Trupi i tij u varros pranë bregut të Lanës, (dikur Lagja e Pishës), në Tiranë.