Ish-përfaqësuesi i Donald Trump për bisedimet Serbi-Kosovë, Richard Grenell, është kthyer në heroin e ditës për familjen Berisha.
Kjo, pasi ai ka thënë se sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, është përfaqësues i Sorosit.
Grenell përmend edhe rastin e Berishës, duke thënë se Blinken veproi si agjent i Sorosit me të.
“Administrata e Biden është kalamendur sërish duke krijuar një tjetër fiasko ndërkombëtare, këtë herë është sekretari i Shtetit Blinken që kryeson akuzën për ndërhyrje në politikat zgjedhore, duke e përqendruar vëmendjen e tij te ish-presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha.
Për ata që nuk e njohin politikën ballkanike, zoti Berisha është një njeri me një të kaluar dinamike, një kundërshtar i vendosur i komunizmit, themelues i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe mik i Amerikës.
Pas një karriere të gjatë për të rikthyer Shqipërinë në dritë pas shtypjes komuniste, zoti Berisha është tërhequr kryesisht nga pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në politikë, duke preferuar të ndihmojë në promovimin e konservatorëve me të njëjtat mendime dhe politika anti-socialiste.
Por Sekretari Blinken tronditi rajonin në maj duke shpallur sanksione udhëtimi, në dukje të pabaza, kundër zotit Berisha dhe familjes së tij të ngushtë, duke i ndaluar hyrjen në SHBA,” thotë Grenell, në shkrimin e publikuar nga portali i familjes Berisha.
Është për të qeshur në fakt, kur e mendon se Berisha thotë se është shpallur non grata nga SHBA, pasi doli kundër planit për ndarjen e Kosovës, ndërkohë që njeriu që drejtonte këtë “plan”, është pikërisht Richard Grenell, njeriu që sot po e mbron.