Juristi Romeo Kara dje me anë të një statusi në rrjetin e tij social Facebook ka folur për kastën politike të pushtetarëve dhe ish-pushtetarëve në këto 30 vite.
Juristi u shpreh se pushtetarët dhe ish-pushtetarët e këtij vendi janë zhytur në shumë mëkate me idenë se pushteti i tyre do të jetë i përjetshëm. Ai tha se politikanët kanë një ide të rreme mbi pushtetin me politika zhvatjeje që mendojnë se mund të kontrollojnë gjithçka.
Por sipas tij, fundi i tyre do të jetë shumë afër. Ai u shpreh se shumë nuk e vinin në dyshim paprekshmërinë e ish-kryeministrit Sali Berisha, por ai u godit në mënyrë fatale nga diçka që nuk pritej. Sipas juristit, pas Berishës në radhë janë emra të tjerë pasi laku sa vjen e po ngushtohet.
“Njerëzit më të poshtër të racës sonë, pushtetarë dhe ish-pushtetarë të këtyre 30 viteve, janë zhytur në të gjitha mëkatet e mundshme, me idenë e rremë se pushteti i tyre mbi këtë vend dhe këtë popull dhe politika e zhvatjes nëpërmjet pushtetit, do të vazhdojë përjetësisht dhe se ata kontrollojnë edhe gurin edhe arrën. Shpejt do ta kuptojnë se garant i drejtësisë është vetë Zoti dhe se ajo kurrë nuk do të zhduket edhe pse duket si e tillë.
Zoti vepron në mënyra të çuditshme dhe të shumanshme, kështu që fundi i tyre padyshim që do të jetë shumë afër. Shumëkush nuk e vinte në dyshim paprekshmërinë e Berishës, simbolit dhe garancisë së këtij zullumi 30-vjeçar, por goditja fatale i erdhi andej nga nuk e priste. Pas tij në radhë do të jenë të tërë. Laku po ngushtohet”, deklaroi juristi. Juristi edhe më herët e ka kritikuar Berishën dhe e ka quajtur politikanin më të poshtër të epokës pas komunizmit. Ai deklaroi se Berisha ka si tipar dallues antiheroizmin pasi duke këmbëngulur kërkon që të tjerët të sakrifikojnë për të. Sipas juristit, Berisha nuk ka sakrifikuar kurrë në funksion të vendit.