Udhëheqësit e ekonomive më të pasura të botës kanë rënë dakord të vazhdojnë përpjekjet për të kufizuar ngrohjen globale me veprime kuptimplote dhe efektive.
Por saktësisht se si do të arrihet kjo nuk u zbulua në komunikatën e liderëve në samitin e G20 në Romë. Vendi pritës, Italia kishte shpresuar se objektivat e vendosur do të vendoseshin përpara samitit COP26 në Glasgow, i cili tani ka filluar.
Grupi G20, i përbërë nga 19 vende t BE dhe SHBA, përbën 80% të emetimeve në botë. Komunikata zyrtare e lëshuar nga udhëheqësit, gjithashtu nuk i referohet arritjes së zeros neto deri në vitin 2050, gjë që shumë vende tashmë janë zotuar ta bëjnë dhe shkencëtarët e klimës thonë se është kritike për të shmangur një katastrofë klimatike.
Zero neto nënkupton reduktimin e emetimeve të gazeve serrë sa më shumë që të jetë e mundur, derisa një vend të thithë të njëjtën sasi emetimesh nga atmosfera që po nxjerr.
Komunikata zotohet, megjithatë, të ndalojë financimin ndërkombëtar të impianteve të reja, të pandërprera të qymyrit deri në fund të këtij viti – një mesazh i fortë për vendet e varura nga qymyri si Kina, Rusia dhe India. Por liderët e G20 nuk ranë dakord për t’i dhënë fund energjisë së qymyrit në vendet e tyre.
Aktivistët kishin shprehur zhgënjimin e tyre për draftet fillestare të komunikatës, duke e ndjerë se nuk ishte mjaft e ashpër. Kishte shqetësime se arritja e një marrëveshjeje nuk do të ishte e lehtë, pasi midis liderëve që nuk u shfaqën personalisht është presidenti i Kinës Xi Jinping. Kina është ndotësi më i madh në botë – megjithëse, për person, emetimet e saj janë rreth gjysma e atyre të SHBA-së.
Të shtunën, ditën e parë të samitit dyditor, fokusi ishte te Covid dhe ekonomia, me një marrëveshje që u arrit për një normë tatimore globale, e cila do të shohë që fitimet e bizneseve të mëdha të tatohen të paktën 15%.