Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi mjeshtrin e akrobacisë shqiptare, Ali Xhixhën pas vdekjes me dekoratën “Nderi i Kombit”.
Kreu u Shtetit shprehet se me mjeshtërinë dhe pasionin e tij , Xhixha i dha vlera shumë dimensionale këtij arti.
“Në shenjë vlerësimi për kontributet e çmuara në themelimin e akrobacisë në cirkun shqiptar. Me mjeshtërinë dhe pasionin e tij i dha vlera shumë dimensionale këtij arti të bukur, në arenën kombëtare si dhe në atë ndërkombëtare.”
Në fjalën e tij drejtuar familjarëve dhe të pranishmëve në ceremoninë e dekorimit, Presidenti Meta u shpreh: “Kam kënaqësinë të nderoj me Dekoratën e lartë ‘Nderi i Kombit’, Ali Xhixha, themeluesin dhe pionerin e cirkut shqiptar.
Megjithëse ka kaluar kohë nga largimi i tij nga jeta, mjeshtëria dhe vepra e tij, kujtohet gjithmonë me respektin, që ai meritonte.
Ali Xhixha ka qenë nga tiranasit, që me pasionin, guximin dhe vullnetin e tij ushtroi akrobacinë, në format më interesante të kohës, aq sa ai u bë një legjendë e familjeve tiranase, të cilët ndiqnin numrat e shfaqjeve të tij, me emocione kudo.
Xhixha kaloi në shumë pengesa gjatë karrierës së tij, por asnjëherë nuk u dorëzua para vështirësive.
Ai nuk u ndal asnjëherë me trupën e vet, siç e shpjegon ish-nxënësja e tij, ‘Mjeshtrja e Madhe’, Vitore Sallaku dhe as nuk e ndërpreu aktivitetin e tij akrobatik, duke shkuar në çdo qytet të vendit.
Mbas çlirimit me përmirësimin e kushteve të cirkut, trupa e tij u shtua në numër me nxënës, që sot janë artistë të mëdhenj.
Gjatë karrierës së tij artistike Ali Xhixha u rrit në mjeshtërinë e cirkut dhe e pasuroi repertorin e tij akrobatik.
Prej shkollës, instruktimit dhe stërvitjes së tij kanë dalë dhe janë rritur mjeshtra të mëdhenj të cirkut si Arian Miluka, Vitore Sallaku, Zhuljeta Miluka, Liri Jonuzi, Pina Shkurti, Dylbere Kodra, Sakine Petrela, Bajram Kurti dhe shumë artistë të tjerë.
Ali Xhixha ka improvizuar edhe shfaqje, që pasqyronin vepra të përmasave botërore si ‘Romeo dhe Zhuljeta’.
Ali Xhixha siç kujton ish-nxënësi Arjan Miluka, që sot është Drejtor teknik i cirkut ‘Vertigo’ në Itali, ka detyruar qeverinë belge të mblidhet dy herë për të ngritur institutin e lartë të cirkut, që u bë realitet.
Në referencën e tij për Ali Xhixhën, ai e cilëson atë si legjendë, krenari dhe i papërsëritshëm për cirkun.
Ai deri në fund të vitit 1958 ka dhënë shfaqje kudo në të gjithë vendin.
Ambientet ku Aliu jepte shfaqje, sidomos nga 30 metra lartësi, si një pelivan i vërtetë dhe pa rrjetë mbrojtëse poshtë, u bënë shumë të njohura, sepse zakonisht zhvilloheshin në ambiente të hapura, terrene sportive, stadiume, si dhe në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’.
Figura të tillë si Ali Xhixha, i bëjnë nder vendit tonë.
Mirënjohje të sinqertë dua t’i përcjell familjes së Ali Xhixhës, për njeriun e tyre të madh dhe të paharruar, që na ka bërë të gjithëve krenarë!
Dekorata ‘Nderi i Kombit’ është e rëndësishme për ju, por mbi të gjitha për historinë e lavdishme të tij dhe për sukseset e cirkut shqiptar!”