Oficerët e policisë nuk do të fitojnë me gradat e humbura në gjykatën administrative. Ky vendim është nga Gjykata e Lartë e cila ka shqyrtuar një rast të Gjykatës Administrative
Asnjë gradë e lartë në Policinë e Shtetit nuk do të merret përmes Gjykatës Administrative. Kjo praktikë u ndoq për më shumë se të vjet, në mungesë të konkursit që ishte pezulluar për motive të paqarta.
Por gjykatës iu drejtuan edhe oficverë policie që kishin humbur postin dhe donin të ruanin gradën. Për këtë arsye punonjësit brenda policisë që kanë pretenduar të marrin gradat “nënkomisar”, “komisar”, “kryekomisar”, “drejtues” dhe “drejtues i parë” i janë drejtuar vetëm Administratives
Me vendim të Drejtorit të ri Gledis Nano do të rifilloj praktika e mëparshme dhe si rezultat nuk do të jetë më e nevojshme që të shkohet deri në dyert e gjykatave për ta fituar gradën. Gjithçka do të bëhet me garë dhe konkurs, në bazë të kritereve që do të përcaktohen nga një komision i veçantë, bazuar në vitet e karrierës dhe performancës brenda strukturave blu, ashtu siç në fakt e parashikon edhe vetë ligji i Policisë së Shtetit, referuar gradave.
Por pse Policia e Shtetit po vendos tani të rihap konkurset për garën, tre vite e gjysmë pa një konkurs të tillë?
Një rekurs i bërë në Gjykatën e Lartë nga punonjësi i policisë, Leonard Ndreka, i cili pretendoi të merrte gradën “kryekomisar”, u rrëzua me pretendimin se Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Gjirokastër dhe Apeli Administrativ në Tiranë nuk kanë interpretuar ligjin siç duhet, pasi nuk kanë kompetencë për të dhënë grada. Për këtë, thotë Supremja, është vetë Policia e Shtetit, e cila e ka të obligueshme të hap konkurs çdo vit, në bazë të vendeve vakante të gradave që ka në dispozicion dhe t’u jap mundësinë punonjësve të saj të rriten në detyrë, bazuar në rezultatet e karrierës dhe të vjetërsisë së punës. Por, gjithsesi, gjithçka duhet të kaloj me konkurs.
Për arsye të paqarta, Policia e Shtetit nuk e ka hapur garën për gradat për tre vite e gjysmë, çfarë ka detyruar punonjësit e saj të emëruar në detyra të ndryshme ta kërkojnë atë nëpër gjykata. Në tre vite të mungesës së konkurseve për gradat, janë emëruar në poste drejtuese edhe individë që nuk u ka korresponduar niveli i gradës me postin që janë emëruar, por me pretekstin që ta fitojnë gradën brenda një viti në Gjykatën Administrative, pa konkurs, referuar një VKM-je të 21 dhjetorit 2016. Kjo bëri që në 12 qarqet e vendit të emërohen njerëz pa përvojë në polici, të cilët arritën të marrin gradën vetëm pasi u emëruan dhe jo në bazë të meritës dhe konkursit.
Rihapja e garës pritet të sjell një frymëmarrje të re në polici, pasi do t’u japë mundësinë dhjetëra punonjësve të përkushtuar për të konkurruar për një gradë më të lartë dhe në fund të fundit për të dhënë kontribut në përmirësimin e vetë strukturës së Policisë së Shtetit. Fillimi i mbarë është bërë me zhvillimin e konkursit për gradën “nënkomisar”, i zhvilluar të martën. Për 100 vende vakante konkurruan 260 aplikantë, të cilët kanë ndjekur më herët studimet në Fakultetin e Hetimit të Krimit, pranë Akademisë së Sigurisë.(Shqiptarja.com)