Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur shkarkimin e gjyqtarit të Kushtetueses Fatmir Hoxha. Ai nuk ka mundur të kalojë vettingun. Sipas KPK, gjyqtari Fatmir Hoxhaj nuk është i përshtatshëm për të vijuar punën në Gjykatën Kushtetuese.
Gjatë shqyrtimit të pasurisë së gjyqtarit, KPK vuri theksin te një pasuri 112 m2 në Tiranë, e cila është blerë në shumën 145 mijë euro. Sipas këtij komisioni blerja e apartamentit nuk justifikohet, pasi për të është deklaruar marrja e një kredie si i pastrehë në vlerën 5 milionë lekë dhe mungon justifikimi i pjesës së tjetër të shumës.
Por sipas avokatit te gjyqtarit Hoxha, klienti i tij ka marre borxh 28 mije euro nga kunati i tij për blerjen e këtij apartamenti. Avokati theksoi se gjyqtari Hoxha ka jetuar në apartamentin e blerë edhe pse nuk kishte shlyer as 1/3 e vlerës.
Një tjetër problematike e konstatuar ka qenë pasuria e deklaruar në vitin 2004, që sipas KPK-së është më e madhe se të ardhurat e tij vjetore. Avokati i gjyqtarit tha se shtesa në pasuri ka ardhur prej parave që i kanë hedhur në dasmë. Për këtë gjyqtari ka vënë në dispozicion të trupës gjyqësore edhe videot e dasmave, por kjo provë nuk është pranuar nga KPK-ja.
Fatmir Hoxha është gjyqtari i pestë i Kushtetueses që përfshihet në procesin e vetingut, pas Besnik Ymerajt, Fatos Lulos, Vitore Tushës dhe Altina Xhoxhajt. Ymeraj dha dorëheqjen nga sistemi gjyqësor, por u referua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në Prokurori, Fatos Lulo dhe Altina Xhoxhaj u shkarkuan nga detyra, ndërsa Vitore Tusha është e vetmja e konfirmuar në detyrë deri më tani.